Botë
Administrata e Trampit, të huajt nuk lejohen më të studiojnë në Harvard
23.05.2025 14:14
Sipas administratës Tramp, studentët e huaj në Universitetin elitar të Harvardit...

Sipas administratës Tramp, studentët e huaj në Universitetin elitar të Harvardit së shpejti do t’i përkasin së shkuarës. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Kristi Noem, e justifikoi tërheqjen e lejes për të pranuar studentë të huaj, duke përmendur ndër të tjera, “refuzimin” e Harvardit për të krijuar një mjedis të sigurt për studentët hebrenj dhe politikat e universitetit për mundësi të barabarta.
Universiteti u lejoi “agjitatorëve antiamerikanë dhe pro-terroristë” që të sulmonin studentët hebrenj në kampus. Pa dhënë asnjë provë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare akuzoi gjithashtu Harvardin për bashkëpunim me Partinë Komuniste Kineze.
Thuhet se ky hap u ndërmor pasi universiteti refuzoi të jepte informacion në lidhje me disa studentë të huaj. Në një letër drejtuar Harvardit, Noem deklaroi se sanksioni ishte “rezultati fatkeq i dështimit të Harvardit për të përmbushur kërkesat e thjeshta të raportimit”.
Gati 6.800 studentë ndërkombëtarë janë të regjistruar në Harvard, më shumë se një e katërta e trupës studentore. Studentët që janë regjistruar tashmë do të duhet të ndryshojnë universitet ose të humbasin statusin e qëndrimit, deklaroi universiteti.
“Veprimet e Qeverisë janë të paligjshme.”, thuhet dhe se “jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur aftësinë e Harvardit për të mirëpritur studentë dhe studiues ndërkombëtarë, të cilët vijnë nga më shumë se 140 vende dhe e pasurojnë Universitetin dhe këtë vend pa masë.” Universiteti e quajti këtë veprim një “masë hakmarrëse”. Kjo kërcënon të shkaktojë dëme serioze për universitetin dhe minon misionin akademik dhe kërkimor të Harvardit.
