Botë
Izraeli tërhiqet nga bisedimet për armëpushim
23.05.2025 14:32
Pas vrasjes së dy diplomatëve në Uashington, qeveria izraelite...

Pas vrasjes së dy diplomatëve në Uashington, qeveria izraelite njoftoi tërheqjen e të gjithë ekipit negociator nga bisedimet e Dohas, që synojnë arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës. Anëtarët e lartë të ekipit u thirrën në Izrael, ndërsa vetëm anëtarët e ekipit operativ do të qëndrojnë në kryeqytetin e Katarit.
Familjet e pengjeve që mbahen ende në Gazë shprehën kritika të forta ndaj vendimit. Kryeministri, Benjamin Netanjahu, e përdori ngjarjen për të fajësuar qeveritë e Kanadasë, Britanisë dhe Francës për nxitjen e krimeve antisemite. Në një mesazh të shpërndarë të enjten të mbrëmje, Netanjahu tha se vrasja e dy punonjësve të ambasadës izraelite është ngjarje “e tmerrshme”.
“Terroristi që i qëlloi mizorisht e bëri këtë për një arsye të vetme, ai donte të vriste hebrenj.
Dhe ndërsa e larguan ai brohoriste, ‘Çlironi Palestinën!’ Kjo është pikërisht e njëjta brohoritje që dëgjuam më 7 tetor.”. Ambasadat izraelite në mbarë botën rritën menjëherë masat e sigurisë.
Izraeli po dënohet botërisht për vazhdimin e ofensivës ushtarake në Gazë, ndërsa opozita brenda vendit dhe grupet hebraike kanë paralajmëruar rritje të incidenteve antisemite. Netanjahu tha gjithashtu se ushtria izraelite “shpreh keqardhje” për incidentin me diplomatët evropianë në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku u hap zjarr gjatë vizitës së tyre.
