Botë
Kuvendi i Kosovës, dështoi për të 20-tën herë seanca konstituive
23.05.2025 14:50
Do të ketë edhe përpjekje të 21-të për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës...

Do të ketë edhe përpjekje të 21-të për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pasi edhe vazhdimi i 20 i kësaj seance nuk dha rezultate. Përsëri opozita nuk votoi për propozimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për të kaluar në votim të fshehur për të zgjedhur kryeparlamentarin, prandaj seanca përsëri u ndërpre.
“Shihemi më 25 maj në orën 11:00, sërish.”, - theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Haradinaj: VLEN-i nga Maqedonia po tenton ta ndihmojë Kurtin
Ndërkohë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se edhe aleatët e Vetëvendosjes nga koalicioni VLEN në Maqedoni, janë angazhuar për t’i bindur deputetët e bashkësive në Kosovë që ta përkrahin Albin Kurtin.
“Është një mobilizim i madh i Kurtit, i aleatëve të tij të shqiptarëve në Maqedoni, që po kanë kohë, po duket i kanë kryer punët atje mirë, po kanë kohë të udhëtojnë deri këtu për ta joshur Adem Hoxhën, pastaj edhe Dudën, edhe Vetonin, sa mirë është të bëhen me Kurtin për ta ndihmuar Qeverinë, sa patriotik e kombëtar është.”, - deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Balje: Më kanë ofruar punësim si profesoreshë në Shkup
Deputetja Dude Balje ka konfirmuar se ka pasur përpjekje për ta bindur që ta përkrahë Vetëvendosjen, duke i premtuar punësim si profesoreshë universitare në Shkup. Ajo ka sqaruar se përpjekja nuk ka ardhur nga politikanët në Maqedoni, por ka pasur biseda telefonike nga miq të sajë në Kosovë.
“Ka qenë një shoqe, një mjeke e Kosovës, e mirë, nuk më kujtohet, por disa herë jemi takuar rastësisht. Kam refuzuar, sepse unë nuk i njoh këto persona dhe vërtet për mua ka qenë e papranueshme. Mënyra se si më kanë ofruar është vërtet e papranueshme.”, - theksoi Duda Balje nga Bashkimi Socialdemokrat.
Gërvalla: Nuk jemi në Pazar, ku shitemi dhe blihemi
Kryetarja e Listës Guxo, pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen, Donika Gërvalla, thotë se nuk ka informacione për pretendimet e deputetes Balje dhe kreut të AAK-së, Haradinaj.
“Absolutisht nuk kam asnjë informacion për këtë, por i bëj thirrje edhe zonjës Balje, edhe zotit Hoxha, që të heqin dorë nga qasja bllokuese, sepse nuk jemi këtu në pazar ku shitemi dhe blihemi, është çështje parimore konstituimi i Kuvendit. Nuk mund të jap përgjigje për çka thotë kryetari i Aleancës, sepse ai flet vet. Unë mundë të them atë që di unë, unë nuk di për pazare të kësaj natyre. Unë di se ka pasur biseda të vazhdueshme për t’i vetëdijesuar se duhet të marrin pjesë në votimin e Kuvendit.”, - deklaroi Donika Gërvalla nga Lista Guxo.
Para fillimit të seancës, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, mbajti një protestë para Kuvendit të Kosovës me moton: “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”.
Nga kjo organizatë vlerësojnë se si pasojë e bllokadës së konstituimit të Kuvendit, shumë politika që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe jetën e fëmijëve mbeten të pamiratuara.
ABIBE QAILI
