Futboll

Real Madrid lajmëroi largimin e Ancelottit pas gjashtë sezonesh dhe 15 trofeve

23.05.2025 15:03

Real Madrid lajmëroi këtë të premte largimin e Carlo Ancelottit...

Real Madrid lajmëroi këtë të premte largimin e Carlo Ancelottit, i cili është shpallur tashmë  trajneri i ri i Kombëtares së Brazilit. Në një njoftim, klubi spanjoll bëri me dije se kishte arritur një marrëveshje me italianin 65-vjeçar për të mbyllur mandatin e tij si trajner i ekipit.
 
Ancelotti largohet nga posti si trajneri më i suksesshëm në histori të Real Madrid, me 15 tituj, gjatë gjashtë sezoneve të tij.
 
"Klubi ynë dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe dashurinë ndaj njërit prej legjendave më të mëdha të Real Madrid dhe futbollit botëror," thuhet në një njoftim zyrtar.
 
"Carlo Ancelotti udhëhoqi ekipin tonë në një prej periudhave më të suksesshme në 123 vitet e jetës sonë."
 
Në total, Ancelotti fitoi tri Ligat e Kampionëve, tri Kupat e Botës për Klube, tri Superkupat Evropiane, dy tituj La Liga, dy Kupa të Mbretit dhe dy Superkupa të Spanjës. Ishte një trajner që drejtoi Real Madrid dy herë, midis viteve 2013 dhe 2015, dhe nga 2021 deri tani, në 2025.
 
Në njoftimin zyrtar të Real Madrid, përfshihen gjithashtu fjalët e presidentit Florentino Pérez, në deklaratën e tij të parë zyrtare pas shpalljes së marrëveshjes së Carlo Ancelottit me Brazilin.
 
"Carlo Ancelotti është tashmë pjesë e përjetshme e familjes së madhe të Madridit. Ne ndihemi krenarë që kemi pasur një trajner që na ndihmoi të arrinim kaq shumë suksese dhe që, përveç kësaj, ka përfaqësuar vlerat e klubit tonë në një mënyrë shembullore."
 
Të shtunën (24), stadiumi Santiago Bernabéu do t’i bëjë nderime trajnerit, në ndeshjen e tij të fundit si trajner i Real Madrid.
 
Në fund, klubi i dëshiron italianit fat të mbarë.
 
"Real Madrid i dëshiron atij dhe familjes së tij gjithçka më të mirën në këtë fazë të re të jetës së tij." 
 
MUSTAFA ADEMI