Maqedoni
Ambasada britanike në Shkup, epokë e re në marrëdhëniet RMV-Britani e Madhe
23.05.2025 15:13
Ceremonia zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes historike

Ceremonia zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes historike mes Qeverisë së RMV-së dhe asaj të Britanisë së Madhe në Londër me pjesëmarrjen e ministrit të Eksportit të Mbretërisë së Bashkuar, Gareth Thomas, dhe zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, është notuar si historike nga ana e Qeverisë dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shkup.
Sipas kësaj të fundit, me nënshkrimin e marrëveshjes për Partneritet mes dy Qeverive, po shënohet një epokë e re për marrëdhëniet Britani e Madhe – RMV, që do të nxisë tregtinë dhe do të nxisë rritjen ekonomike.
“Ky partneritet mbështet zbatimin e projekteve të infrastrukturës kritike në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë transportin, shëndetësinë, energjinë dhe teknologjinë. Do të jetë në gjendje të mbështetet në një gamë të gjerë mbështetjeje, duke përfshirë programet e asistencës teknike dhe deri në 5 miliardë paund në mbështetje të Financimit të Eksportit nga BM, të disponueshme për projekte në RMV. Kjo do të thotë që Qeveria e BM-së dhe bizneset britanike punojnë në partneritet me Qeverinë e RMV-së dhe zinxhirin e tyre lokal të furnizimit për të realizuar projekte infrastrukturore në të gjithë Maqedoninë e Veriut. Kjo qasje do të gjenerojë përfitime të ndërsjella për të dy vendet përmes ndarjes së inovacionit për të ofruar infrastrukturë elastike që nxit rritjen.”, janë shprehur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup.
Nikollovski: Marrëveshje me vendin e dytë më të zhvilluar
Zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikollovski, thotë se kjo është marrëveshja e parë e vendit tonë në një vlerë kaq të madhe, por edhe marrëveshja e parë e Qeverisë së Britanisë së Madhe që nënshkruan me ndonjë vend të Kontinentit Evropian.
“E nënshkruam këtë marrëveshje mes dy qeverive dhe po tregoj diçka të re, se kjo marrëveshje është e para e këtij lloji që Qeveria e Britanisë së Madhe nënshkruan me një shtet nga Kontinenti i Evropës. Këtë marrëveshje mund ta ndajmë në dy pjesë, e para është pjesa financiare, e cila është shumë e rëndësishme, por edhe më shumë rëndësi ka pjesa e dytë që ka të bëjë me aspektin politik, sepse Britania e Madhe në dispozicion po i ofron njerëzit më të vyeshëm dhe njohësit më të mirë të çështjeve ndërtimore, me qëllim që të ndërtohet vendi ynë. Pra, duhet ta dimë se kemi nënshkruar marrëveshje me vendin e dytë më të zhvilluar në botë dhe vend i cili është në mesin e pesë ekonomive më të zhvilluara botërore.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikollovski.
Nikollovski po ashtu theksoi se kamatat do të jenë shumë të ulëta, dhe se bëhet fjalë për mjete, të cilat do të jepen në projektet konkurrente, dhe se të njëjtat gjatë dekadave tjera disa herë më shumë do t’i kthejnë mjetet. Ai po ashtu theksoi se transha e parë do të jetë në vlerë prej 2.2 miliardë euro dhe do të shpenzohen aq mjete sa RMV-ja do të ketë nevojë.
LSDM: U nënshkrua marrëveshje pa publikuar interesin
Por, nga LSDM thonë se Qeveria fillimisht nënshkruan marrëveshje, pastaj na informon për interesin dhe kostot.
“Të marrësh kredi 6 miliardë euro për vendin dhe të mos thuhet se cilat janë kushtet e kredisë, cila është norma e interesit, cilat janë afatet është anormale.”, thonë nga LSDM.
FITIM KRYEZIU
