Maqedoni
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, në Shkup, Kallas: RMV-ja i përket unionit, por duhet veprim
23.05.2025 15:31
Maqedonia e Veriut i përket BE-së...

Maqedonia e Veriut i përket BE-së, por vendi duhet të zbatojë hapat e nevojshme për zhbllokim të këtij procesi. Ky ishte mesazhi i përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, e cila ndodhet për vizitë në Shkup.
Sipas saj, integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE, përveç përfitimeve ekonomike, ka edhe përfitime në aspekt të sigurisë dhe paqes.
“Rruga drejt integrimit nuk është e lehtë, porosia ime është të mbeteni në rrugën e njejtë, t’i ndërmerrni hapat e nevojshme për hapjen e bisedimeve qasëse. Kjo do të thotë se BE, do t’i japë Maqedonisë së Veriut përkrahje edhe më të madhe, pa dallim në fushën e sundimit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit apo modernizimit të administratës shtetërore. Nga përvoja e dimë se përparimi mundet të jetë i shpejtë, në qoftë se ka vullnet për këtë. Shqipëria dhe Mali i Zi janë një shembull i mirë për këtë.”, - deklaroi përfaqësuesja e lartë për siguri e BE-së, Kaja Kallas.
Mickoski: BE-ja të tregojë lidership
Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski potencoi se vendi mbetet i përkushtuar në rrugën drejt BE-së, por në të njëjtën kohë bëri thirrje për më shumë drejtësi, qëndrueshmëri dhe lidership nga Bashkimi Evropian.
“Ky shtet meriton të pret vërtetim më të qartë, më të hapur dhe më të ndershme nga vet Unioni, sepse do të pajtohemi se jo të gjitha vendet anëtare dhe jo gjithmonë sillen në shpirtin evropian. Kërkova trajtim fer, Evropa të tregojë lidership, që do të sjellë diçka me vlerë plër qytetarët në realitet. Të kthehet besimi në idenë evropiane, sidomos tek të rinjtë.”, - theksoi kryeministri, Hritijan Mickoski.
E pyetur se përse për Ukrainën, BE ka plan B, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut, Kallas tha se për momentin BE është e fokusuar që plani A të funksionojë. Ndërkohë kryeministri Mickoski konfirmoi se Maqedonia dhe Bullgaria do të kenë mundësinë t’i paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me mosmarrëveshjen bilaterale para përfaqësuesve më të lartë të BE-së dhe ShBA-së, në margjinat e samitit të NATO-s, që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor të këtij viti në qytetin Hagë të Holandës.
“Kjo çështje u hap gjatë vizitës së presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, që gjatë samitit të NATO-s në Hagë të mbahet një takim bilateral me përfaqësues të Bullgarisë. Diskutuam me presidenten Siljanovska dhe do të përgatitemi për këtë takim sa më mirë që dimë. Është mirë të ketë një takim të tillë, ku do të mund të dëgjohen argumentet nga të dyja palët.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski u tregua i gatshëm edhe për ndërmjetësimin e shteteve, që duan ta ndihmojnë vendin në këtë proces.
ERSAN PAJAZITI
