Maqedoni
Punësimet e shqiptarëve, BDI kritikon Mickoskin për veprimin në Zhelinë, VLEN-i paralajmëron mbi 2 mijë punësime
23.05.2025 16:25
Punësimet parazgjedhore, pikë përplasjeje...

Punësimet parazgjedhore, pikë përplasjeje midis partive politike. BDI ka akuzuar kryeministrin, Hristijan Mickoski, për shtrirjen e politikave monoetnike edhe në nivel vendor, pasi ditë më parë para kamerave ndërhyri në përgjigjen e kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, rreth pyetjes për punësime parazgjedhore të shqiptarëve.
Integristët pretendojnë se kryeministri nënçmoi shqiptarët duke ndërhyrë se përgjigje për punësimet keni marrë shumë herë.
“Nuk është rastësi që kryeministri e “disiplinoi” kryetarin e komunës për çështjen e punësimit të shqiptarëve. Kjo padrejtësi sistemike është një nga politikat kyçe për realizimin e dominimit monoetnik. Në Zhelinë nuk u përul vetëm një njeri, por u shkel decentralizimi kushtetues. Kryeministri nuk ka kompetenca, as nuk guxon të lejojë përpjekje për “disiplinim” të një kryetari komune, i cili është zgjedhur nga qytetarët.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Për çështjen e punësimeve kanë reaguar nga koalicioni VLEN. Bashkim Hasani ka paralajmëruar punësimin e mbi 2 mijë shqiptarëve në institucione shtetërore. Sipas tij, janë shpifje pretendimet e BDI-së se shqiptarët nuk po punësohen.
“Po finalizoj një listë me të rinj shqiptarë të punësuar në institucionet shtetërore. Jo për t’i informuar ata në BDI, ata i dinë mirë të gjithë, se për shumë prej tyre, madje kanë luftuar t’i ndalojnë që të punësohen. E bëj këtë për një arsye tjetër, për t’ua ndalur dezinformatën që shpërndajnë me aq zell dhe për t’ua shuar “brengën” e rreme që e simulojnë për gjoja mospunësimin e shqiptarëve.”, shkruan në fejsbuk, Bashkim Hasani, nga koalicioni VLEN.
Pakënaqësitë e BDI-së nisën pas shfuqizimit të balancuesit, ku sipas tyre pa kurrfarë mekanizma mbrojtës janë bërë punësime dhe avancime të shumta, duke përjashtuar shqiptarët nga ky proces.
MERAL ISMAILI
