Botë

Berisha nuk pajtohet me humbjen, kërkon zgjedhje të parakohshme dhe Qeveri teknike

23.05.2025 17:01

“Zgjedhje të parakohshme, Qeveri teknike, kjo është kërkesa jonë!”..

12 ditë nga humbja e thellë e zgjedhjeve, ndërsa Sali Berisha nuk e ka ndërmend skenarin e dorëheqjes nga drejtimi i Partisë Demokratike.
 
“Misioni im mbaron ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë.”, - theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
 
Për humbjen, përgjegjësi nuk do të mbajë jo vetëm ai, por siç duket as ekipi që drejtoi në 12 qarqe. Në vend të një mea-kulpe, Berisha i justifikoi njerëzit e tij për rezultatin humbës, thuajse në të gjitha qarqet e Shqipërisë.
 
“Farsa nuk fitohet nga opozita. Çfarë do që të bëjë opozita!”, - u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha.
 
Berisha paralajmëroi se kur të kthehet këtë të enjte bashkë me deputetët aktualë në Parlament, nuk do të lejojë seancë të qetë.
 
“Lufta jonë nuk ndërpritet!”, - u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha.
 
Për të kundërshtuar zgjedhjet, në të cilat akuzoi se nga krimi dolën 28 deputetë të PS-së, në këtë konferencë të radhës Berisha nuk solli fakte dhe pretendime të reja.
 
LULJETA NDOKA