Botë
Ukraina hakmerret pas bombardimeve ruse, 5 të vrarë nga ofensiva në rajonin e Kurskut
23.05.2025 17:19
Pavarësisht negociatave për t’i dhënë fund luftës, tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës...

Pavarësisht negociatave për t’i dhënë fund luftës, tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë vazhduar me intensitet të lartë. Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në rajonin e Kurskut dhe të rajoneve të tjera kufitare ruse, që janë afër vijës së kontaktit luftarak, si Belgorodit dhe Brijanskut.
Bombardimet ukrainase në Kursk janë përgjigje hakmarrëse, për vrasjen e dhjetëra civilëve në Kiev, njoftojnë autoritetet ukrainase. Luftimet në kufirin e Rusisë kanë nxitur presidentin rus, Vladimir Putin, për të krijuar një tampon zonë sigurie.
“Flasim për rajonin e Kurskut, Brijanskut dhe Belgorodit, të cilat kanë pësuar dhe vazhdojnë të goditen me bombardime. Ngjarjet e sotme vetëm sa e konfirmojnë atë që sapo thashë: gjatë sulmeve me dronë dhe aksioneve të grupeve sabotatore dhe të zbulimit, ata godasin transportin civil, përfshirë ambulancat dhe makineritë bujqësore. Vriten dhe plagosen gra dhe fëmijë. E kam thënë tashmë se është marrë vendimi për të krijuar një zonë sigurie të nevojshme përgjatë kufijve. Forcat tona të Armatosura aktualisht po e zgjidhin këtë detyrë.”, - deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Sipas presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski, Ukraina është e gatshme t’i japë fund luftës, por Rusia dëshiron vazhdimin e saj.
“Bota e sheh se Rusia është fajtore për vazhdimin e luftës. Ukraina është gati për hapa sa më të shpejtë, një armëpushim të vërtetë dhe ndërtimin e një arkitekture të re sigurie. Po bëjmë pjesën tonë. Ajo që duhet, është një gatishmëri e njëjtë nga Rusia. Kjo nuk ekziston tani dhe pa presion global nuk do të ndryshojë. Ne po e ushtrojmë pjesën tonë të presionit, mbi të gjitha, përmes mbrojtjes dhe veprimeve aktive. Dua të falënderoj të gjithë ushtarët tanë për qëndrueshmërinë dhe rezultatet e vërteta.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, njoftoi se do të këtë negociata të tjera me Ukrainën dhe se puna për një memorandum që do të çojë drejt një armëpushimi në Ukrainë është në një fazë të avancuar.
“Do të ketë një raund të dytë negociatash. Ata e kanë konfirmuar këtë. Kjo është një zhvillim pozitiv. Nuk e di se si po ecën puna nga ana e tyre [ukrainase], por nga ana jonë puna tashmë është në një fazë të avancuar, dhe në çdo rast do t’ua dorëzojmë këtë memorandum ukrainasve, ashtu siç është rënë dakord dhe do të presim që edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë.”, - u shpreh kreu i Diplomacisë Ruse, Sergei Lavrov.
Ndërkohë Gjermania e frikësuar nga përhapja e luftës dhe rrënimi i demokracisë në të gjithë Evropën. Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore në vitin 1945, “parkon” tanket pranë kufirit me Rusinë. Brigada do të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2027.
“Paqja në Evropë po rrënohet, çdo ditë Rusia e shkel rendin që miratuam kolektivisht si mësim nga tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Duhet të jemi në gjendje të mbrojmë veten nga këto sulme në çdo kohë. Liria nuk është falas, jemi të vetëdijshëm për seriozitetin e kësaj situate dhe për përgjegjësinë tonë.”, - deklaroi kancelari gjerman, Fridrih Merz.
Në inaugurimin e brigadës së blinduar gjermane “Lituania” në Vilnius, u njoftua se aktualisht brigada ka rreth 400 ushtarë gjermanë, që janë të stacionuar në Lituani. Deri në vitin 2027, ky numër pritet të arrijë në 5.000.
FARIJE DAUTI BAKIJU
