Distancimi i deputetes Musa nga ASH e Taravarit, VLEN: Mbështetje të plotë për qëndrimin parimor
Koalicioni VLEN, ka përshëndetur vendimin e deputetes Mimoza Musa...

Koalicioni VLEN, ka përshëndetur vendimin e deputetes Mimoza Musa për distancimin e saj nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.
Lidhur me veprimin e Musës, VLEN shpreh mirënjohje për, siç thuhet, qëndrimin parimor dhe të palëkundur të deputetes.
Përmes një komunikate për mediat, koalicioni VLEN konsideron se Mimoza Musa demonstroi integritet të lartë politik dhe institucional gjatë një periudhe të ndjeshme për skenën politike shqiptare në vend.
"Deputetja Musa, përfaqësuese e zgjedhur nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, ka qëndruar besnike ndaj vullnetit të 107 mijë qytetarëve shqiptarë që i dhanë besim këtij koalicioni për të sjellë ndryshimin dhe për të hapur një kapitull të ri të përfaqësimit të ndershëm politik." – thuhet në kumtesën e VLEN.
Nga VLEN thonë se qëndrimi i saj është provë e qartë se përfaqësimi në Kuvend nuk është vetëm një mandat politik, por një mision në shërbim të qytetarëve.
"VLEN konfirmon se uniteti, parimet dhe besnikëria ndaj qytetarëve janë themeli mbi të cilin do të ndërtojmë të ardhmen tonë politike. Deputetët tanë, pa përjashtim, janë të detyruar të përfaqësojnë interesat civile dhe të qëndrojnë larg çdo kompromisi që bie ndesh me vullnetin e votës së lirë" – thonë nga VLEN.
Reagimi i VLEN vjen pasi deputetja Mimoza Musa njoftoi mbrëmjen e djeshme në një postim në profilin e saj në “Facebook” se po largohet nga ASH e Arben Taravarit.
Në njoftim, Musa shton se nuk do ta tradhtojë besimin e votuesve dhe thotë se do t’i shërbejë me dinjitet dhe përgjegjësi çdo votuesi që i dha besimin më 8 maj, një vit më parë.
Musa është deputeti i dytë që largohet nga Aleanca për Shqiptarët. Më parë, Salim Sulejmani bëri të njëjtën gjë, duke dhënë dorëheqjen si deputet dhe nga pozicionet partiake në Aleancën për Shqiptarët.
Zëvendëskryeministri aktual për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i emëruar në këtë pozicion si kuadër i ASH-së, e që më pas u largua nga ASH e Taravarit, falenderoi kolegen e tij të partisë për qëndrimin e saj të fortë.
