Përçarjet në ASH-në e Taravarit, largohen 8 anëtarë të kryesisë
Pas përçarjeve të fundit në Aleancën për Shqiptarët..

Pas përçarjeve të fundit në Aleancën për Shqiptarët, kreu i kësaj partie Arben Taravari mblodhi kuvendarët për të vendosur se si do të veprojnë në të ardhmen.
Pas mbledhjes, Taravari njoftoi për perjashtim nga partia të 8 anëtarëve të kryesisë, përfshirë edhe kryetarin e kuvendit të partisë Arben Fetain.
Për kryeatr të ri të Kuvendit të ASH-së, është zgjedhur Nazim Taipi. Ky vendim sipas Taravarit u mbështet nga dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit, pasi është konstatuar që të njejtit kanë vepruar dhe punuar kundër qëndrimeve të partisë.
“Për shkak të veprimeve kundër partisë, njëzëri u shkarkua kryetari i Kuvendit, dhe prej sot kryetar i Kuvendit u zgjodh Nazim Taipi. I përjashtuam edhe disa anëtarë të kryesisë të cilët veç më deklarohen kundër Aleancës për Shqiptarët. Anëtarët e kryesisë të cilët u përjashtuan janë gjithsej 8, nga gjithësej 46 anëtarët aq sa numëronte kryesia qëndrore. Ajo vazhdon të funksionojë me pjesën dërmuese të anëtarëve, Kuvendi më shumicë absolute në Kuvendin qëndror.” – tha Kryetari i ASH-së, Arben Taravari.
Përçarjet në ASH, Taravari: ASH e vërtetë, është këtu
Taravari mohoi lëvizje masive të strukturave të partisë. Ai tha se bëhet fjalë vetëm për disa funksionarë për të cilët, tha që ka pasur informacione paraprake për distancimin e tyre nga ASH.
“Tre deputetë që kanë qenë të Aleancës për Shqiptarët janë këtu. Një deputete e morëm që s’ka qenë realisht nga strukturat e ASH-së. Edhe deputeti Salim Sulejmani realisht nuk ka qenë pjesë e strukturës së ASH-së. Ato të cilët kanë derdhur djersë për ASH-në, janë këtu dhe nuk e kanë ndërmend as të lëvizin. Kjo na bën me dije se në zgjedhjet e ardhëshme kandidatët të cilët duhet ti përzgjedhim për deputetë duhet të jenë mes nesh”. – deklaroi Kryetari i ASH-së, Arben Taravari.
Taravari tha që ASH e rikonfirmoi vendimin paraprak të kryesisë, që nuk do të veprojë më si pjesë e koalicionit VLEN, dhe shtoi se në zgjedhjet e ardhëshme lokale do të garojë e vetme si subjekt politik.
Madje ai paralajmëroi se ASH ditëve në vazhdim do t’ju përgjigjet lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike rreshtimin e anëtarëve të tyre në rradhët e ASH-së. (Merita Gashi, TVM2)
