Tragjedia në Koçan, familjarët dëgjohen nga Prokuroria
Familjarët e viktimave të tragjedisë në Koçan...

Familjarët e viktimave të tragjedisë në Koçan do të merren në pyetje, nga prokurorët publikë që po hetojnë zjarrin në diskotekën "Pulse". Përmes deklaratave të dhëna para një prokurori publik, ata do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre si palë të dëmtuara dhe të bashkohen me ndjekjen penale.
“Seanca të tilla dëgjimore janë individuale dhe një përfaqësues ligjor për secilën prej viktimave do të thirret pranë tyre për të folur në lidhje me të drejtat e tyre si palë të dëmtuara. Në deklaratën e tij, ai do të jetë në gjendje të sugjerojë anëtarë të tjerë të familjes që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes. Prokuroria Publike, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, u kushton vëmendje dhe kujdes të veçantë viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike gjatë gjithë procedurës. Në të gjitha veprimet dhe vendimet e ndërmarra, prokurorët marrin parasysh dhe mbrojnë interesat e palëve të dëmtuara”, - thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike.
Tragjedia në Koçan, del nga paraburgimi ministri aktual, Saliu
Ndërkohë, Gjykata e Apelit e Shtipit i ka hequr paraburgimin Shaban Saliut, ministër pa portofol dhe ish-drejtor i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore, i cili është një nga të dyshuarit në hetimin për tragjedinë e Koçanit.
Gjykata vendosi ndaj tij masa të kujdesit. Atij i është marrë pasaporta dhe është i detyruar që çdo të hënë të paraqitet në Gjykatën Penale në Shkup.
Përndryshe si pasojë e zjarrit që shpërtheu në diskotekën “Pulse”, 62 persona humbën jetën, ndërsa mbi 200 u lënduan.
Deri më tani, rreth 60 persona janë dyshuar në procedurat penale në këtë çështje. (Ersan Pajaziti, TVM2)
