Luhatjet e motit dhe shëndeti ynë, si ndikojnë temperaturat ekstreme në trup?
Ndryshimet e shpeshta të motit...

Ndryshimet e shpeshta të motit gjatë kësaj periudhe mund të sjellin edhe pasoja në shëndetin e qytetarëve. Temperaturat që në mëngjes shkojnë deri në 10 gradë, ndërsa në mesditë ngjiten deri në 30, po ndikojnë drejtpërdrejt në organizmin e njeriut.
Mjeku Sedat Lumani, thotë se shumë nga simptomat që qytetarët i përjetojnë këto ditë si teshtimat, rrjedhja e hundës, kollitja apo lodhja, janë përgjigje natyrore e organizmit ndaj luhatjeve ekstreme të temperaturës.
“Të gjithë njerëzit që kanë ndonjë simptom siç është kollitja, teshja, rrjedhja e sekrecionit të hundës, temperaturë, ato janë si pasojë e reaksionit të organizmit dhe luhatjes së temperaturës, se temperaturat e mengjesit janë 3,4,5 deri në 10, ndërsa temperaturat e ditës ndonjëherë shkojnë deri në 30. Kështu që organizmi njëher mbrohet nga i ftohti, pastaj duhet të mbrohet nga i nxehti dhe kjo paraqet të ashtuquahturën ftohje” – thotë mjeku i përgjithshëm, Sedat Lumani.
Lumani apelon që qytetarët të përshtatin veshjen sipas momentit të ditës, dhe jo sipas kalendarit. Luhatjet e temperaturës ndikojnë edhe në sistemin tonë të brendshëm, duke “ngatërruar” mekanizmin natyror të mbrojtjes, termostatin e trupit.
“Janë disa sëmundje tipike për ata me sëmundje kardiovaskulare, respiratore, siç është astma, bronkitet kronike, sëmundjet kardiovaskulare, që për fat të keq është një sezon ku mund të priten më shumë insulte të trurit, ose gjakderdhje të trurit kur kemi luhatje të temperaturave, ata njerëz duhet të kenë shumë kujdes që lëngojnë prej sëmundjeve kronike. Duhet të marrin terapinë dhe ti përmbahen rregullave të natyrës, ashtu sic është temperatura e jashtme, ti përshtaten” – thotë mjeku Lumani.
Përveç ndikimeve fizike, pranvera shpesh shoqërohet edhe me luhatje emocionale, lodhje dhe anemi sezonale, që për shumë janë një sfidë shtesë. Mjeku rekomandon kujdes të shtuar, terapi të rregullt për të sëmurët kronikë dhe përshtatje me natyrën – sepse në kohët e sotme, stinët nuk janë më si dikur. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
