Sllupçan, përkujtohen 10 martirët e familjes Zymberi
Në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve në fshatin Sllupçan...

Në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve në fshatin Sllupçan, pasditën e së shtunës u mbajt një tubim përkujtimor në kujtim të 10 martirëve të rënë të familjes Zymberi, gjatë konfliktit të vitit 2001, respektivisht 24 vite më parë në ditën e sotme, kur një predhë e gjuajtur nga helikopteri i forcave maqedonase të sigurisë kishte goditur bodrumin e shtëpisë, ku ishin të strehuar nga granatimet e pareshtura.
Si pasojë 10 veta të moshave të ndryshme humbën jetën, kurse 35 të tjerë u plagosën. Kjo ngjarje tragjike bëri jehonë në opinionin, si të brendshëm, poashtu edhe të jashtëm. “Kjo ditë nuk është thjesht një përvjetor, por një moment reflektimi dhe nderimi, për një sakrificë që kapërcen kohën dhe vendin. Familja Zymberi nga fshati Sllupçan është një nga simbolet më të fuqishme të sakrificës dhe qëndresës shqiptare gjatë kësaj lufte. Në këtë periudhë të vështirë për shqiptarët e Maqedonisë, kur UÇK po luftonte për të drejtat dhe barazitë e popullit shqiptar, familja Zymberi dha një kontribut të jashtëzakonshëm dhe sakrifikoi më të shtrenjtën, jetën, duke u bërë simbol i heroizmit dhe flijimit për lirinë e të ardhmen e brezave që do të vijnë. Ngjarja tragjike ndodhi kur një granatë goditi bodrumin e shtëpisë së tyre, aty ku ishin strehuar për tu mbrojtur nga granatimet e pandërprera" - tha Hamza Zymberi, familjarw.
“Sot përkujtojmë dhe nderojmë dëshmorët e kombit, anëtarët e familjes Zymberi. Poashtu përkujtojmë bashkëluftatarin tonë, dëshmorin Mexhit Hamiti nga fshati Runicë. Para 24 viteve ata u ndanë nga ne fizikisht, ranë për të mos vdekur kurrë. U ndanë fizikisht por gjithmonē dhe gjithherë do të jenë në kujtesat tona. Familja Zymberi me sakrificën e tyre, me gjakun e derdhur për liri u bë simbol i lirisë sonë, qëndresës. Sot ne i kujtojmë me shumë krenari dhe me dhimbje" - tha Berat Ajdari nga SHVL- UÇK.
Më pas të gjithë të pranishmit bënë homazhe tek varrezët e dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë. (Fatlum Aqifi, TVM2)
