BDI: Diskriminim sistematik në Ministrinë e Kulturës
Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër lidhur me avancimet në Ministrinë e Kulturës, duke i cilësuar si “diskriminim të qëllimshëm dhe sistematik”, ndaj shqiptarëve.
Nga BDI thonë se nga 12 avancime të fundit të bëra brenda kësaj ministrie, vetëm një pozitë i është dhënë një shqiptari, dhe ajo në një nivel të dytë të renditjes hierarkike. “Ky bilanc është tregues i qartë i një politike të vetëdijshme për të marginalizuar përfaqësimin kulturor të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratë.
BDI fajëson jo vetëm Ministrinë e Kulturës, por edhe pjesëtarët e koalicionit qeverisës nga VLEN, duke i akuzuar për dështim në mbrojtjen e interesave kulturore të shqiptarëve dhe për tolerim të një diskriminimi të strukturuar.
“BDI do ta ngrejë këtë çështje në çdo nivel institucional dhe ndërkombëtar, për të ndalur këtë degradim të qëllimshëm ndaj trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, thuhet më tej në deklaratë, duke bërë thirrje për një reagim të gjerë nga opinioni publik, artistët dhe intelektualët shqiptarë.
