Izraeli bombardon spitalin në veri të Gazës

24.05.2025 21:56

Ofanziva izraelite mbi Rripin e Gazës....

Ofanziva izraelite mbi Rripin e Gazës vazhdon me intenzitet të lartë. Gjatë këtyre sulmeve janë vrarë 66 civil, ku deri në 50 prej tyre u vranë në një goditje të vetme ndaj një ndërtese katërkatëshe banimi në veri të Gazës.

Është bombarduar edhe spitali Nasser në Khan Younis. Nuk ka detaje për numrin e të vrarëve në këtë sulm.

Operacionet ushtarake të intensifikuara të Izraelit vazhdojnë të rrezikojnë seriozisht sistemin tashmë të dobësuar shëndetësor të Gazës.

“Po punojmë në Al-Shifa për shkak të pushtimit të fundit në veri të Gazës. Vetëm Al-Shifa dhe Al-Ahli janë funksionalë në të gjithë Rripin e Gazës. Të gjitha rastet e evakuuara nga veriu po dërgohen këtu. Sot kemi ardhur për të ndihmuar pas bombardimeve në Rrugën e Vjetër të Gazës.”  - tha dr. Abdul Karim Jamal nga spitali indonezian (aktualisht në Al-Shifa)

“Pranojmë rreth 500 deri në 600 raste emergjente në ditë, por kapaciteti i shtretërve është shumë i ulët dhe nuk e përballon këtë fluks. Jemi në rrezik real për jetën e pacientëve dhe të plagosurve.” – u shpreh Drejtori i kompleksit mjekësor Al-Shifa, dr. Mohamad Abu Sulmeyeh.

“Ne këtu po punojmë si në një ‘spital fushe’, pacientët i shtrijmë në tokë, pasi të gjithë krevatet janë të zënë.” – deklaroi dr. Moataz Harara, mjek mbikëqyrës, Al-Shifa.

“U zgjova dhe e gjeta veten në korridor. Pyeta: ‘Ku jam?’ Më thanë që pas operacionit, më vendosën në korridor sepse nuk kishte dhoma të lira. Nuk ka as banjo, më kanë vendosur një qese urinimi që të mos lëviz fare.” – tha Ahmad Al-Buri, pacient.

“Në veri të Gazës situata është tmerrësisht e keqe. As fasha nuk ka në spitalin Al-Shifa për të ndalur gjakun.” – u shpreh babai i një pacienti të plagosur.

Izraeli përballet me presion diplomatik

Izraeli po përballet me presion diplomatik. Ofensiva e zgjeruar në Gaza dhe bllokada e ndihmave u bënë tepër të rënda edhe për aleatët perëndimorë të Tel Avivit, të cilët dërguan një sinjal të qartë: mjaft është mjaft.

Sipas Kombeve të Bashkuara, palestinezët po përballen me fazën më të zjarrtë të luftës.

“Ofensiva ushtarake izraelite po intensifikohet me nivele të tmerrshme vdekjesh dhe shkatërrimi. Sot, 80 për qind e Gazës është shpallur ose si zonë e militarizuar nga Izraeli ose si një zonë ku njerëzve u është urdhëruar të largohen. E pamja e madhe është kjo: pa një ndihmë humanitare që të jetë e shpejtë, e besueshme, e sigurt dhe e vazhdueshme, gjithnjë e më shumë njerëz do të vdesin – dhe pasojat afatgjata për të gjithë popullsinë do të jenë të thella.” – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterrez.

Ndërkohë që Izraeli përballet me presion diplomatik, Trump hesht. Ish-liderët botërorë i kërkojnë Uashingtonit të ndryshojë kursin.Khan Younis ka qenë një nga qytetet më të goditura ditët e fundit, me një urdhër për zhvendosje të detyruar të popullsisë në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës.

Numri i të vrarëve në Gaza, që nga fillimi i luftës ka shkuar në mbi 54 mijë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)