Rritja e kontesteve tregtare, Iseni: Paqartësia ligjore, pengesë serioze për biznesin

25.05.2025 13:56

Rritja e kontesteve tregtare është bërë një realitet i dukshëm...

Rritja e kontesteve tregtare është bërë një realitet i dukshëm në Maqedoninë e Veriut. Jo vetëm që kompanitë po përplasen mes tyre, por gjithnjë e më shpesh edhe me institucionet publike, përfshirë Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Inspektoratin e Tregut dhe  organet për  mbështetjen financiare për investime.

Ky nuk është një fenomen i ri, por intensiteti i tij ka marrë përmasa të reja, deklaron avokati Drilon Iseni për TVM2.

Iseni paralajmëron se nëse ligjet nuk përshtaten me realitetin e tregut, do të rriten bllokimet, përmbarimet dhe falimentimet.

“Ajo që është bërë evidente kohët e fundit është rritja e numrit të kontesteve tregtare mes kompanive, por edhe ndërmjet bizneseve dhe institucioneve publike. Ky nuk ka qenë një trend më herët, të paktën jo në këtë shkallë. Tani po shohim një rritje të theksuar të rasteve kundër vendimeve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kundër Inspektoratit të Tregut, si dhe kundër vendimeve që lidhen me mbështetjen financiare për investime. Këto janë tri temat kryesore me të cilat aktualisht punojmë më së shumti me klientët tanë. Situata është reale dhe shqetësuese. Një tjetër trend i ri është se marrëdhëniet kreditore-debitore mes kompanive po zgjidhen gjithnjë e më shumë përmes përmbaruesve, pra me procedura të detyruara. Kjo është një shenjë e qartë se bizneset po përballen me probleme serioze të likuiditetit.” – u shpreh avokati, Drilon Iseni.

Avokati Iseni, thotë se disa ligje shpesh interpretohen në mënyra të ndryshme nga zyrtarë të ndryshëm. Kjo krijon paqartësi juridike dhe e vë biznesin në pozitë të pafavorshme për t’u mbrojtur. 

“Si ligje problematike në zbatim kemi identifikuar: Ligjin për Procedurë Tatimore, Ligjin për Tregtinë, i cili është tejet i ngarkuar me rregullore, dhe Ligjin për Inspektoratin e Tregut. Problemi nuk është vetëm në përmbajtje, por sidomos në zbatimin e tyre. Në praktikë, individë të caktuar në administratën shtetërore i interpretojnë këto ligje sipas dëshirës. Çdo ligj që le hapësirë për interpretim të dyfishtë krijon pasiguri te bizneset dhe e bën mbrojtjen e tyre ligjore shumë më të vështirë. Kur hartohen ligje nga institucionet publike, është thelbësore që në proces të përfshihet edhe sektori i biznesit, qoftë drejtpërdrejt përmes kompanive serioze, qoftë përmes dhomave ekonomike që kanë përvojë praktike me zbatimin e ligjeve.” – deklaroi avokati, Drilon Iseni.

Një ndër ligjet i cili ishtë në dëm të kompanive dhe u  shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese këtë vit ishte ai për tatimin solidar ku shteti duhet të ju kthej rreth 50 milion euro 156 kompanive. (Gazmend Kurtishi, TVM2)