Kosovë, përpjekje për konstituimin e Kuvendit
Për herë të 21-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës...

Për herë të 21-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
“53 deputetë kanë dhanë votën ‘për’, kundër ka qenë një, abstenim nuk ka. Ndërpritet seanca shihemi me 27 maj në orën 11:00” – tha Kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Pas mbylljes së seancës, Vetëvendosje, PDK dhe LDK vazhduan sërish betejën e konfrontimit midis tyre se kush e ka fajin për bllokimin e procesit.
“Edhe sot e pamë absurditetin e radhës të partive opozitare në Kuvend të cilat nuk morën pjesë fare në votim në formimin e komicionit i cili e mundëson votimin e fshehtë. Njejt siç vepruan para disa javësh, kur nuk votonin raportin verifikues të komisionit për verifikimin e mandateve që bllokoi për disa seanca procesin e ecjes tutje, njejtë bënë edhe sot, pra njejtë për siç kanë bërë seanca me rradhë, duke vazhduar bllokadën e konstituimit të kuvendit” – u shpreh Arbreshë Kryeziu nga “Vetëvendosje”
“Institucionet vazhdojnë të mbesin peng i kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë, deputetit, Albin Kurti dhe nga kjo konferencë i bëjmë thirrje, i bëjmë ftesë që të respektojë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja të cilat do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë. Fatkeqësisht asgjë nuk është duke ndodhur. Iu bëjmë apel që të reflektojnë” – deklaroi Vlora Çitaku nga PDK.
“Suksesin ia mundëson partia e vetë e cila po thotë që i ka numrat për qeverinë, por si ka për Albulenën. Mendoj se është degraduese dhe e panevojshme një gjë e tillë. Gjithsesi mendoj se ka kalu koha e arsyeshme e sjelljes së tillë politike dhe duhet sa më shpejtë të formohen institucionet e Kosovës ose të shkojmë në zgjedhje” – tha Arben Gashi nga LDK.
Kryesuesi Avni Dehari njoftoi se Kuvendi do të vijojë punimet e seancës konstituive më 27 maj, në orën 11:00. (Fitim Kryeziu, TVM2)
