Kosovë, për të 21-tën here dështon seanca konstituive, Rama: Mosfunksionimi institucional paralizë e jetës sociale

25.05.2025 14:28

vendi i Kosovës dështon të mbajë seancën konstituive...

Kuvendi i Kosovës dështon të mbajë seancën konstituive. Mungesa e kuorumit dhe përplasjet politike mes partive, vazhdojnë të bllokojnë krijimin e institucioneve të reja, më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Politologu Ariton Rama thekson se në këtë periudhë, mosfunksionimi institucional dhe mungesa e një fleksibiliteti politik nënkuptojnë paralizë të përditshmërisë sociale, ekonomike dhe politike të shtetit.

“Mendoj që Kosova është në një prag të një stabiliteti ekonomik, është në një prag të një lloj harmonizimi të integrimeve të ndryshme institucionale politike të shtetndërtimit të saj, dhe kjo krizë nuk është në favorin politik. Zgjedhjet manifestuan një fitues dominant të manifestit zgjedhor dhe poashtu një opozitë e cila është në prag të numrave pozitare, dhe kjo do ti shërbente shumë mirë demokracisë dhe debatit legjislativ i cili duhet të ndodh në parlament.” – thotë politologu, Ariton Rama.

Sipas tij, kjo krizë po manifestohet si një situatë e përshtatshme për të dyja taboret, si për pozitën ashtu edhe për opozitën, por jo edhe për qytetarët, të cilët presin reforma të thella dhe konkrete, sidomos në funksion të integrimit evropian dhe ndërtimit të një stabiliteti të qëndrueshëm social.

Në lidhje me deklaratat e përfaqësuesve të BE-së, të cilët së fundmi vizituan Kosovën, shton se porosia ishte shumë e qartë, që stabiliteti dhe progresi politik është më i rëndësishëm se sa përpilimi i numrave dhe tekave politike.

“Përfaqësuesi Kosta e përmendi se Kosova është në planet e Bashkimit Evropian. Ky është edhe një element i mirëseaedhur. Pra të qenurit në rendin e ditës çështja e politikave rajonale, ballkanike, sidomos të Ballkanit Perendimor, me theks të veçantë harmonizimin e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, është koha momentale. Deklarata ishte mjaft koncize, kemi tre raporte negative për Kosovën në aspektin administrativ, në aspektin gjuhësor, dhe në aspektin e dialogut me Serbinë, këto raporte duhet të trajtohen ose tejkalohen deri në Dhjetor dhe Kosova nuk ka kohë për të pritur e aq shumë BE për ta pritur Kosovën” – shprehet Rama.

Në një kohë kur Kosova ka nevojë për institucione funksionale, për të çuar përpara dialogun ndërkombëtar, reformat ligjore dhe agjendën e integrimit në Bashkimin Evropian, vazhdimi i bllokadës parlamentare rrezikon ta izolojë më tej vendin politikisht dhe ekonomikisht, përfundon më tej Rama. (Leunora Kaliqi, TVM2)