Konteksti me Bullgarinë, Siljanovska: Austria e gatshme të ndërmjetësojë
Austria është e gatshme të diskutojë gjetjen e një zgjidhjeje kreative...

Austria është e gatshme të diskutojë gjetjen e një zgjidhjeje kreative me Bullgarinë dhe beson se gjëja më e rëndësishme për BE-në në këtë moment është zbatimi i politikës së zgjerimit, tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Davkovës, Ministrja për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare e Republikës së Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka shprehur interes që bisedimet për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje të zhvilloheshin në Vjenë.
“E dëgjuam ministren të thoshte se Austria gjithmonë e ka mbështetur rajonin. Austria beson se gjëja më e rëndësishme për BE-në në këtë moment është zbatimi i politikës së zgjerimit. Se ajo i kupton aspiratat e Ukrainës dhe Moldavisë, por se ka një kuptim më të madh të Ballkanit Perëndimor, dhe pastaj tha: "Ja ku jam, duke ju njoftuar se Austria është e gatshme të diskutojë gjetjen e një zgjidhjeje kreative së bashku me Bullgarinë." – tha Presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova.
Megjithatë e pyetur nëse Sofja ishte kontaktuar nga ajo vetë, apo nga përfaqësuesit e Austrisë, Siljanovska nuk kishte një përgjigje konkrete.
Konteksti me Bullgarinë, Siljanovska: BE të investojë më shumë energji
Më tej, Siljanovska tha se edhe pse vendi e ka të qaartë se korniza negociuese është e vështirë për ta ndryshuar, bëri thirrje që BE të investojë energji për të mundësuar në mënyrë kreative përparimin tonë.
“Mundet që Parlamenti Evropian të miratojë ndonjë akt, për situatën mes nesh me Bullgarinë. Mundet që Këshilli gjithashtu të jep ndonjë instrukcion. Kemi nënshkruar dy protokolle, mund të nënshkruajmë edhe një, se nuk do të shfrytëzohen, se nuk mund të jenë bazë për veto, çështjet bilaterale. Të potencoj, në marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë, nuk ka asnjë fjalë, për ndryshime kushtetuese” – u shpreh Presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova.
Siljanovska mohoi se marrëveshje me Britaninë e Madhe është zëvendësim për gjendjen status-quo me BE-në. Ajo theksoi se vendi në mënyrë gjeografike, historike dhe politike është pjesë e Evropës. (Ersan Pajaziti, TVM2)
