Ukrainë, Moska me sulme të ashpra ndaj Kievit

25.05.2025 15:27

Përkundër thirrjeve nga bota për paqe...

Përkundër thirrjeve nga bota për paqe, Moska i ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës. Për dy netëë rreshtë, Kievi ishte në shënjestër të dronëve dhe raketave ruse, ndërsa goditje kanë pësuar edhe ndërtesa banimi.

Numri i viktimave dhe të plagosurve po rritet.

“Sulmet ndodhën gjatë gjithë natës. Së pari goditën këtu, pastaj në shtëpitë e tjera. Më pas, në fund të rrugës atje, të gjitha dritaret u thyen.” – tha Alla, banuese e Kievit.

“Ishte e tmerrshme. Dyert ishin bllokuar, gjithçka digjej. U përpoqa të dilja dhe kuptova se ishte e pamundur. Më pas erdhën zjarrfikësit, filluan të shuajnë zjarrin dhe arrita të dal,” – deklaroi Natalia, banuese e Mykolaivit.

Heshtja e SHBA-ve dhe vendeve të tjera në botë vetëm sa e inkurajon Putinin, deklaroi Zelensky. Ai e akuzoi Rusinë se nuk dëshiron paqe. Ai kërkoi që të ushtrohet më shumë presion ndaj Moskës.

“Ukraina është e gatshme për çdo lloj diplomacie që jep rezultate të vërteta. Jemi të gatshëm për çdo hap që mund të garantojë siguri reale. Rusia është ajo që nuk është e gatshme për asgjë. Java e ardhshme duhet të jetë kohë për veprime që rrisin presionin ndaj Rusisë, me fjalë të tjera, për të garantuar paqen.” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Autoritetet ruse, ndërkohë, thonë se aeroportet në Moskë u mbyllën përkohësisht për shkak të mbetjeve nga dronët ukrainas të rrëzuar.

Ndërkohë është realizuar edhe shkëmbimi i fundit i robërve të luftës mes Moskës dhe Kievit, i arritur në negociatat në Stamboll.

“Jam shumë i lumtur që jam kthyer. As nuk isha i sigurt nëse do të kthehesha. Çdo ditë lutesha së bashku me të gjithë djemtë tanë që të ktheheshim në shtëpi,” – theksoi një ushtar ukrainas i liruar.  

Pritet që Rusia t’ia dorëzojë Kievit një draft-dokument me kushtet për marrëveshje paqeje, siç ishte paralajmëruar më herët nga kreu i diplomacisë ruse. Ndërkohë, BE po përgatit një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)