Ndodhitë në ASH, Fetai: Aleanca mbetet në VLEN si zë i ndryshimit
Aleanca nuk është ndërtuar për të qenë vegël e dikujt...

Aleanca nuk është ndërtuar për të qenë vegël e dikujt, por për të qenë zë i qytetarëve dhe i ndryshimit. Kështu deklaroi zv/kryeministri Arben Fetai, i cili njoftoi Aleanca për Shqiptarët me strukturat e saja të cilët nuk mbështesin vendimin e Arben Taravarit për të dalur nga qeveria do të vazhdojnë të funksionojë në kuadër të koalicionit VLEN.
Fetai, veprimin e Taravarit e vlerëroi si përpjekje të dështuar të regjimit të vjetër për të shkaktuar destabilizim të vendit, ndërsa tha se anëtarësia e Aleancës për Shqipëtarët janë të përcaktuar për të mbetur pjesë e ndryshimit.
“Do vazhdojmë të jemi pjesë e koalicionit VLEN, sepse këto vota, 107 mijë vota shqiptare i kemi fituar bashkarisht si koalicion VLEN, kemi një program, kemi një besë që e kemi dhënë ndaj qytetarit, ndaj votuesit, të cilin nuk e tradhtojmë për asnjë çmim dhe aq më pak për pazare për komuna me BDI-në. Në politikë duhet të ketë parime, duhet tu japim shembull gjeneratave të reja që politika është dhe duhet të jetë e ndershme dhe se ekzistojnë disa vija të kuqe mbi të cilat nuk guxojmë të shkelet” – tha Zv.Kryeministri për Qeverisje të mirë, Arben Fetahi.
Taravari: Ankth me ndjenjë faji, tetori është shumë afër
Nga ana tjetër kryetari i ASH-së Arben Taravari ka reaguar nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ku shkruan se ish-bashkëpartiakëve u është përzier ankthi me ndjenjën e fajit, ndërsa, u ka bërë me dije se zgjedhjet lokale po afrohen dhe aty do shihet forca e vërtetë.
“Ankthi është ndjesia më e keqe që përjeton njeriu… sidomos kur është i përzier me ndjenjë faji! Ne vazhdojmë më të qetë e më të sigurt se kurrë drejt fitores së tetorit, i cili është afër… shumë afër!”, - ka thekjsuar kryetar i ASH-së Arben Taravari.
Përndryshe, Taravari ka njoftuar se në kuvendin e partisë të mbajtur në Kumanovë ka shkarkuar zv/kryeministrin Fetai nga pozita e kryetarit të Kuvendit, ndërsa duke komentuar këtë çështje Fetai tha se kuvendi i organizuar nga Taravari nuk ka pasur shumicën e dy të tretave për të marrë vendime të tilla. (Ersan Pajaziti, TVM2)
