LSDM: Skandal i ri i Pançe Toshkovskit
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë...

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë njoftoi për një rast të dyshimtë në Ministrinë e Brendshme me vlerë rreth 4 milionë euro, i cili, sipas LSDM-së, mban të gjitha tiparet e rrjeteve skandaloze të prokurimeve të VMRO-DPMNE-së.
Sipas LSDM-së prokurimet e dyshimta i janë ndarë kompanive të cilat janë regjistruar disa ditë para prokurimit.
“Skandal i dyshimtë që peshon diku 4 milion euro. Ky është një shembull klasik i rrjeteve të prokurimeve të DPMNE-së, mban erë korrupsioni dhe abuzimi me detyrën. Studioja e modës “Le Brand Design” nga Manastiri, e cila vitet e fundit ka pasur të ardhura mesatare prej 20,000 eurosh në vit dhe vetëm dy të punësuar, merr një kontratë me vlerë mbi 2 milion euro për qepjen e uniformave speciale. Kompania “Pamitex Team” u formua 20 ditë para tenderit, ajo fiton një tender me vlerë 1,710,000 euro”. – tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
VMRO-DPMNE: Korrupsioni dhe krimet në mandatin e Filipçes
Nga ana tjetër sipas VMRO-DPMNE-së, skandalet, korrupsioni dhe krimet më të mëdha në historinë e shëndetësisë ndodhën gjatë mandatit të Venko Filipçes.
“Në periudhën kur pacientëve u jepeshin solucione fiziologjike në vend të terapive onkologjike, Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë. Kur u dogjën 14 persona në Spitalin Modular, Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë. Kur donte të favorizonte pronarin Venko përmes tenderëve me një veledrogeri të afërt me të dhe të blinte vaksina me çmim dyfish më të lartë nga një firmë fantazmë, Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë.” – u kundërpërgjigjë Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE poashtu apeluan Prokurorinë Publike që të mos e mbyllë këtë rast, por të hetojë rolin e Filipçes në të gjitha këto skandale. (Fitim Kryeziu, TVM2)
