Maqedoni

Shtëpia Botuese “Onufri” në konflikt me Kasamin, Hudhri padit Kasamin dhe komunën për plagjiaturë

26.05.2025 14:16

Shtëpia Botuese “Onufri” ka parashtruar padi për plagjiaturë...

Shtëpia Botuese “Onufri” ka parashtruar padi për plagjiaturë të librave të tyre, siç thonë ata nga ana e kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Bujar Hudhri, nga shtëpia botuese “Onfuri” thonë se duke parë një publikim të Kasamit ku njofton se bibliotekat e shkollave të mesme të Tetovës po furnizohen me libra, thotë se kanë parë një libër për të cilën kanë të drejtë vetëm ata ta botojnë.
 
“Kam ardhur këtu në Tetovë për të paditur komunën e Tetovës, kryetarin e saj z. Kasamin, një postim që ka bërë ai në rrjetin e tij social, ku ai deklaron se ka dhuruar pesë shkollave në Tetovë afërisht 5 mijë libra dhe këto i ka shoqëruar me foto. Arsyeja se un padis këtu komunën është skandaloze që shteti të marrë një mall të vjedhur dhe ta dhurojë, sepse ti ia dhuron bibliotekave publike, bibliotekave të nxënësve, që do të thotë libra të tillë të vjedhur të shtypura në mënyrë skandaloze pa kurrfarë cilësie dhe madje edhe të përgjysmuara. Këto libra ngelin brez pas brezi në bibliotekat e shkollave. Para dy vitesh un kam sjell këtu Ismail Kadaren, unë jam botuesi i tij dhe Tetova e bëri qytetar nderi të saj. Unë nuk mund ta kuptoj kryetarin e komunës së Tetovës, që Ismail Kadarenë e bëri qytetar nderi dhe ky i vjedh librat e Kadaresë.”, - theksoi Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese “Onufri”.
 
Alili: Librat janë blerë nga vetë shkollat
 
Kryetari as nuk blen e as nuk shet libra, tha zëdhënësi i komunës së Tetovës, Albion Alili. Sipas tij, librat janë blerë nga vetë shkollat dhe sipas ligjit për furnizime publike deri më pesë mijë euro shkollat nuk e kanë për obligim të hapin thirrje publike, por përzgjedhin ofertën më të lirë.
 
“Komuna e Tetovës dhe kryetari as nuk ka porositur libra e as nuk ka blerë libra. Librat janë blerë nga vetë drejtorët e shkollave të mesme me mjetet e tyre vetanake dhe nga shtëpia botuese “Çabej” - Tetovë. Ne si komunë nuk kemi blerë libra, aq më pak kryetari i komunës. Ai në postim thotë se kryetari ka shitur libra dhe kjo është një e pavërtetë e madhe. Kryetari ditën e premte ka qenë nëpër bibliotekat e shkollave për të parë furnizimin e lektyrave të bibliotekave, që janë furnizuar nga vetë shkollat. Është çështja e shtëpisë botuese “Çabej” se si i ka marr librat, si i ka shitur, është punë e shtëpisë botuese. Me anë të ligjit për furnizime publike, deri më pesë mijë euro shkollat nuk duhet të hapin thirrje publike, por bëjnë thirrje vetëm për ofertën më të mirë dhe shtëpia botuese ka dhënë ofertën më të lirë.”, - tha zëdhënësi i komunës së Tetovës, Albion Alili. 
 
Për ndryshe në postimin e kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, thuhet se në pesë shkollat e mesme janë shpërndarë 4.450 lektyra shkollore dhe 62 tituj të ndryshëm.
 
VISAR SADIKI