Futboll

Të gjitha ndeshjet e futbollit vendor, pa publikë

13.05.2015 18:08

Të gjitha ndeshjet e xhiros së parafundit në ligën e parë futbollistike dhe ato të javës së 26-të në ligën e dytë, do të luhen para tribunave të zbrazëta...

Një gjë të këtillë, e ka vendosur sot Federata Futbollistike e Maqedonise, me rekomandim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e gjithë kjo shkaku I sigurisë.

Kësisoj, gjithsej dhjetë takime nga liga e parë dhe e dytë futbollistike, do të luhen pa publikë, një gjë e cila nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë.

Ndërkohë, kanë ndodhur edhe dy ndryshime të termineve, me ç`rast edhe pse më parë ishte paralajmëruar që Vardari dhe Renova, sfidën e tyre do ta luajnë në kompleksin e FFM-së, me asistenc të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në bashkëpunim me Komisionin për Siguri pranë Federatës, është vendosur që ky takim  të luhet në Arenën Filipi i Dytë në Shkup, të shtunën me fillim në orën 16.30.

Nga ana tjetër, derbi tjetër mes Rabotniçkit dhe Shkëndisë do të luhet në kompleksin e FFM-së.

MUSTAFA ADEMI