Maqedoni

Këshilli Gjyqësor vendos, Afrim Fidani zgjidhet kryetar i Gjykatës Supreme

26.05.2025 15:01

Gjykatësi Afrim Fidani që punon lëndë penale, u zgjodh kryetari i ri i Gjykatës Supreme...

Gjatë elaborimit për zgjedhje në Këshillin Gjyqësor, mes dy kandidatëve, Besa Ademi dhe Afrim Fidani, ngadhënjeu paraqitja e planveprimit specifik të Fidanit me afate kohore të përcaktuara saktësisht që synonin përmirësimin e situatës kundrejt Ademit, që sipas një pjese të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, nuk ka bashkëpunuar për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor. Fidani u zgjodh me 8 vota ‘pro’ dhe 5 ‘kundër’, ndërsa kryetarja e mëparshme e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, mori vetëm dy vota. 
 
“Për gjykatësin Afrim Fidani nuk kam dëgjuar asnjë fjalë të keqe nga ndonjë gjykatës apo bashkëpunëtorët profesionistë. Mendoj se pozita e kryetarit të Gjykatës Supreme është e menduar për persona të tillë, të ndershëm dhe profesionistë në punë. Nuk votova për kandidaten e parë, Besa Ademi, për arsyet që një numër i madh i kolegëve i thanë para së gjithash nga qasja dhe sjellja me Këshillin Gjyqësor.”, - deklaroi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa. 
 
“Në program ka renditur edhe planin aksionar. Ai nuk ka punuar me mua, sepse ka lëndët penale. Nuk e njoh nga profesioni, por mendoj se mundet të udhëheqë Gjykatën Supreme.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Isamedin Limani.
 
“Kandidatja e parë, Besa Ademi, në mënyrë të jashtëzakonshme e ka udhëhequr pozitën periudhën e kaluar dhe këtu nuk ka dilema. Ishte e hapur për bashkëpunim ndërkombëtar, por ka një pjesë që vlerësoj se nuk ishte i mjaftueshëm. Nuk ishte mjaftueshëm kooperative, nuk bashkëpunonte, prandaj nuk do ta jap votën. Ndërsa kandidati i dytë, sa i përket kritereve objektive që janë të paraparë në program dhe planin aksionar është e rëndësishme që ka plan aksionar me afat saktësisht të caktuar dhe disa pika në program që vlerësoj që do të jenë në drejtim që të përmirësohen disa gjendje.”, -  u shpreh anëtari i Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
 
“Praktika në Këshillin Gjyqësor ka treguar se dy mandate një pas një nuk mbaj mend të ketë marrë ndonjë kryetar. Për kandidatin e dytë votova ‘për’. Është e saktë se disa kolegë nuk e njohin për arsye se deri sa unë jam anëtarë i Këshillit nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjë parashtresë apo kërkesë që ta njohim. Programin që kërkohet, sipas ligjit e kishte në rregull.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.
 
Në seancë u zgjodh edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Krushevë, Haxho Tarik, edhe përkundër vërejtjeve të shumta se në të kaluarën ka qenë i sanksionuar, për shkak të numrit të madh të lëndëve të vjetërsuara.
 
Ndërkohë katër gjykatës nga Gjykata Penale zgjidhen gjykatës në Gjykatën e Apelit, Maria Kletniçka, Olja Ristova, Ivan Xholev dhe Betim Jahja nga Gjykata Themelore e Tetovës. Në Apel u zgjodhën edhe gjykatës nga fusha civile.
 
FLORIJE KAMBERI