Rasti “Onkologjia”, VMRO kërkon hetim për Filipçen, Filipçe: Nuk ndjej faj, aspak

26.05.2025 15:21

VMRO-DPMNE vazhdon të akuzon kreun e LSDM-së, Venko Filipçe...

VMRO-DPMNE vazhdon të akuzon kreun e LSDM-së, Venko Filipçe, për përfshirje në skandalin “Onkologjia”. Sipas tyre, ish-ministri mund të ketë qenë në dijeni apo i përfshirë në vjedhjen e 2.2 miliardë denarëve së bashku me drejtorët tashmë të akuzuar. Ftojnë Prokurorinë Publike të hetojë për rolin që ka pasur ish-ministri, Filipçe, në atë periudhë.

“Në vend të terapive dhe ilaçeve, pacientët në Onkologji kanë marrë tretësirë fiziologjike, ndërsa ilaçet e vërteta janë vjedhur dhe janë shitur jashtë vendit me çmime shumë më të larta. Mbetet e paqartë dhe gjithashtu sot e ftojmë Prokurorinë Publike që të hetojë: A ka Filipçe ndonjë rol në rastin Onkologjia? Filipçe, si personi i parë i shëndetësisë, e rrënoi atë, ndërsa ilaçet që ishin vjedhur, më pas bliheshin nga një depo farmaceutike e afërt me të, për shumë më tepër para.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër është kundërpërgjigjur kryetari i LSDM-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai tha se nuk ndjen faj për ngjarjet në Onkologji.

"Nuk ndjej aspak faj. Është mirë ta dimë të vërtetën. Të shohim çfarë do të tregojë procesi gjyqësor. Doli në pah fushata e rreme që VMRO-DPMNE e udhëhoqi përmes komisionit hetimor. Të gjitha kompetencat e Ministrisë janë zbatuar, madje edhe në kohët më të vështira të COVID-it. Mendoj se absolutisht secili, nëse e ka shkelur ligjin, duhet të përgjigjet.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Disa ditë më parë Prokuroria Themelore Publike dorëzoi dy aktakuza në Gjykatën Penale kundër pesë personave. Akuza e parë i drejtohet ish-drejtorëve të përgjithshëm dhe ekonomikë, Nino Vasev dhe Nehat Nuhiu, të cilët akuzohen për keqpërdorime të detyrës zyrtare. Aktakuza e dytë shënjestron katër mjekë për keqtrajtimin e pacientëve.

Nga hetimet është konstatuar se 29 pacientë kanë marrë terapi joadekuate, ndërkaq 16 të tjerë ilaçe të panevojshme. Pjesa më e madhe e veprave penale është kryer prej vitit 2018 deri në vitin 2022.

Hetimi për skandalin në Onkologji ka nisur pas hetimeve gazetareske rreth shitjes së terapisë citostatike, të cilën duhej ta merrnin pacientët e Onkologjisë.

Vitin e kaluar në Kuvend u formua komision anketues për të gjetur përgjegjësinë politike për keqpërdorimet në Onkologji. (Armend Murseli, TVM2)