Policia Financiare, kallëzime penale ndaj dy zyrtarëve të M-NAV-it

26.05.2025 15:59

Drejtoria e Policisë Financiare...

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të Shoqërisë Aksionare Shtetërore për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror M-NAV, V.K. - ish drejtor dhe B.A. për keqpërdorim të pozitës dhe papërgjegjësi në shërbim. V.K. dyshohet se ka bashkuar në mënyrë të paligjshme dy prokurime të papajtueshme, duke vendosur kushte diskriminuese në dokumentacionin e tenderit për një zgjidhje softuerike.

“I denoncuari i parë V.K. zhvilloi dokumentacion tenderimi me kushte diskriminuese dhe joproporcionale për përzgjedhje cilësore dhe funksionale për menaxhimin e dokumenteve. Ai futi kushte dhe kritere që lidhen kryesisht me arkivimin fizik të dokumenteve dhe nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimin e një zgjidhjeje plotësisht funksionale për menaxhimin e dokumenteve, pra prokurimin e një zgjidhjeje softuerike.”, thonë nga Policia Financiare.

I denoncuari i dytë me iniciale B.A., ndonëse në dijeni të shkeljeve, ka lejuar publikimin e tenderit në sistemin elektronik.

“B.A., si personi i vetëm i autorizuar për të kryer procedurat e prokurimit publik, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, veproi me neglizhencë në kryerjen e kompetencave dhe detyrave të tij në një mënyrë të tillë që, megjithëse ishte në dijeni se dokumentacioni i tenderit dhe specifikimet teknike të përgatitura në këtë mënyrë ishin përgatitur në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, i publikoi ato në sistemin elektronik të prokurimit publik.”, thonë nga Policia Finaciare.

Me kriteret e përcaktuara diskriminuese dhe joproporcionale për përzgjedhje cilësore, duke zvogëluar konkurrencën, të denoncuarit dëmtuan buxhetin e ndërmarrjes me mbi 1.4 milionë denarë, në favor të kompanisë Shoqërinë për Skanim, Përpunim dhe Ruajtje të Dokumenteve Contego DOO Shkup me të cilën është lidhur kontratë.

Sipas informacioneve të Policisë Financiare abuzimet me tenderë për menaxhimin me dokumente kanë ndodhur gjatë vitit 2022. (Meral Ismaili, TVM2)