Dyshohet se keqpërdori rreth 4 milionë denarë, MPB ngre kallëzim penal kundër Deharit

26.05.2025 16:19

Departamenti për Punë të Brendshme në Kërçovë...

Departamenti për Punë të Brendshme në Kërçovë ngriti kallëzim penal kundër kryetarit të komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, për shkak të ekzistimit të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjegjësisht për nënshkrimin e kontratave të jashtëligjshme të Deharit me avokatë nga Kërçova.

“Policia e Kërçovës ka ngritur kallëzim penal kundër Fatmir Deharit, 51 vjeç, nga fshati Sërbicë e Kërçovës, për shkak të dyshimeve se gjatë viteve 2017 deri në vitin 2024, në cilësinë e kryetarit të komunës së Kërçovës, në mënyrë të paligjshme ka lidhur disa kontrata për kryerjen e shërbimeve ligjore me avokatë nga Kërçova, edhe pse brenda komunës së Kërçovës ekziston Sektor për Çështje Ligjore me gjithsej 37 të punësuar, të cilët kanë të drejtë ta përfaqësojnë komunën para gjykatave në vend.”, njoftojnë nga MPB.

Sipas Ministrisë së Brendshme, i akuzuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe ka vepruar në kundërshtim të disa ligjeve sikurse Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjit për Prokurime Publike, Ligjin për Procedurën Civile, Rregulloren për Sistematizimin e Vendeve të Punës.

Me veprimet antiligjore, në dëm të buxhetit të komunës së Kërçovës, Dehari u ka mundësuar avokatëve që të përfitojnë dobi pasurore të paligjshme prej 3.938.420 milionë denarësh ose rreth 64.000 euro. (Meral Ismaili, TVM2)