Pacientët onkologjikë, në takim me prokurorin publik

26.05.2025 16:36

Pacientë onkologjikë në një takim në Prokurori...

Pacientë onkologjikë në një takim në Prokurori pas akuzave të ngritura kundër ish-drejtorëve, Vasev dhe Nuhi, të cilët së bashku me tre kolegë të tyre nga klinika akuzohen për ofrimin e trajtimit të papërshtatshëm dhe terapive të panevojshme për pacientët me kancer.

Nga Shoqata “Hemo Onko” kërkojnë përgjigje shtesë dhe informacione nga Prokuroria Publike se sa histori mjekësore për trajtim joadekuat janë hulumtuar. Ata thonë se hetimi i Prokurorisë për lëndën “Onkologjia” si dhe sipas raporteve të ekspertëve në Slloveni, 29 pacientë me kancer u trajtuan me terapi jo adekuate, gjë që ua përkeqësoi shëndetin e tyre.

“Ishim në takim në Prokurori dhe morëm informacione, që sipas neve si pacientë janë me rëndësi të madhe. Informata e parë që e morëm ishte se janë rishikuar në periudhë prej pesë viteve. Të gjithë pacientët që kanë marrë terapi biologjike nga këto pacientë janë gjetur 70 pacientë që është dyshuar se kanë pasur efekt jo të mirë nga terapia dhe këto histori u dërguan jashtë shtetit për t’u vërtetuar dhe u gjet numri i pacientëve që kanë marrë terapi jo adekuate. Një pjesë e këtyre pacientëve fatkeqësisht kanë ndërruar jetë, disa të tjerë janë ende në terapi. Nga Prokuroria na informuan dhe na premtuan se të gjithë pacientët që janë pjesë e kësaj historie do të kontaktohen ata ose familjarët e tyre.”, - deklaroi Ana Marjanoviq nga Shoqata “Hemo-Onko”.

Prokuroria Publike vlerëson se vendimi për arrest shtëpiak është i pamjaftueshëm për të siguruar përcjelljen e procedurës dhe kërkoi nga Gjykata e Apelit që vendimi të jetë i zëvendësuar me paraburgim efektiv.

Ndërsa nga Klinika e Onkologjisë apelojnë pacientët që të jenë të qetë dhe të kenë besim në procesin e punës në klinikë, sepse pas ngjarjes janë bërë ndryshime të mëdha në klinikë. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)