BE-ja mbështetje MPS-së, projekt për shërbime kualitative sociale
Në 30 muajt e ardhshëm në vend...

Në 30 muajt e ardhshëm në vend do të realizohet projekti “Përkrahja e sistemit për ofrimin e shërbimeve kualitative sociale”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti ka për qëllim ndërtimin e një sistemi funksional, të hapur dhe efikas për shërbime sociale, që do të jenë të qasshme për të gjithë qytetarët, veçanërisht për grupet e cenueshme, theksuan ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani dhe euroambasadori, Mihalis Rokas.
“Kjo nismë është një shtyllë kyçe në përpjekjet tona për ndërtimin e sistemit modern, të drejtë dhe inkluzive të mbrojtjes sociale. Ministria jonë si bartëse e politikave në sferën e mbrojtjes sociale, demografisë dhe rinisë e identifikon nevojën për një sistem të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, i cili jo vetëm që do t’i ofrojë shërbimet sociale, por do të garantojë edhe kualitetin e tyre në kontinuitet.”, - deklaroi ministri i Politikës Sociale dhe Demografisë, Fatmir Limani.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se përkrahja sociale është baza e BE-së. Ky nuk është vetëm një projekt teknik, por bëhet fjalë për politika, dedikuar njerëzve dhe dinjitetit të tyre për barazinë dhe përfshirjen e tyre. Ky projekt i reflekton vlerat tona të përbashkëta, angazhimin tonë se njerëzit që përballen me problem serioze pa marr parasysh nëse bëhet fjalë për sëmundje apo varfëri, do ta marrin përkrahjen që u është e nevojshme.”, - theksoi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.
Projekti do të realizohet nga Ministria e Politikës Sociale, në të gjithë vendin, nëpërmjet aktiviteteve që synojnë forcimin institucional, krijimin e standardeve dhe indikatorëve, metoda të reja për licencim dhe trajnime për profesionistët. (Abibe Qaili, TVM2)
