Mexhiti, Azir Aliu propozohet Ministër i Shëndetësisë

26.05.2025 20:35

Megjithë shkëputjen e ASH-së, së Arben Taravarit...

Megjithë shkëputjen e ASH-së, së Arben Taravarit, një pjesë e Aleancës për Shqiptarët e kryesuar nga Arben Fetai, mbetet në kuadër të Koalicionit VLEN, bëri të ditur njëri nga liderët e këtij koalicioni, Izet Mexhiti.

Ai njëherit njoftoi se Arben Fetai do të vazhdojë të mbetet Zv/Kryeministër për Qeverisje të mirë, ndërsa Azir Aliu do të propozohet për Ministër të ri të Shëndetësisë. Poashtu Mexhiti tha se në Kryesinë Qendrore të VLEN-it, do të inkuadrohen edhe 10 anëtarë të ASH-së nga grupi që dolën kundër Arben Taravarit.

VLEN po bën përgaditjet edhe për zgjedhjet lokale, Adnan Azizi do ti prijë shtabit Qendror të Zgjedhjeve.

“Siç po shihet tani VLEN-i është i kompletuar, dhe i urojmë mirëseardhje në vazhdimin e betejës Aleancës për Shqiptarët në krye me Arben Fetain, po kompletohet edhe Kryesia e VLEN-it me 10 anëtarët që vinë nga ASH. Poashtu në këtë mbledhje pritet të formatohet edhe shtabi qendror në krye me Adnan Azizin. Në të njejtën kohë në Kryesi të VLEN-it është miratuar që Arben Fetai të mbetet Zv/Kryeministër për Qeverisje të mirë, ndërsa Azir Aliu do të propozohet nga VLEN-i për Ministër të Shëndetësisë” – tha Izet Mexhiti nga VLEN.

Fetai, shumë anëtarë të ASH-së dolën kundër Taravarit

Zëvendës kryeministri Fetai theksoi se shumë anëtarë të ASH-së dolën kundër Arben Taravarit dhe vendosën të mbeten pjesë e koalicionit VLEN.

Ai tha se hisen të cilën ASH e ka pasur si në koalicionin VLEN dhe në Qeveri do të vazhdojë ti takoj këtij grupacioni.

“Hisja e VLEN-it nuk ndryshon, hisja e ASH brenda koalicionit nuk ndryshon dhe ngelet ajo që ishte, ndërsa për lëvizjet brenda strukturave të ASH-së, keni parë çdo ditë këtyre ditëve të fundit, dhe do të shihni se do të dalin nga atje degë të reja hapur në përkrahje të qëndrimit që kemi marrë si Këshill koordinativ i ASH brenda VLEN-it” – deklaroi Arben Fetai nga VLEN.   

Nga VLEN thanë se deklarimet e Taravarit se në zgjedhje lokale do të bashkëpunon edhe me BDI edhe me VLEN nuk janë të pranueshme, ndërsa theksojnë se në zgjedhje lokale do të bashkëpunojnë me VMRO-DPMNE-në. (Fitim Kryeziu, TVM2)