Mucunski: Integrimi euroatlantik, garanci për stabilitetin e rajonit

27.05.2025 15:42

Zbatimi i shpejtë i proceseve të integrimit evropian...

Zbatimi i shpejtë i proceseve të integrimit evropian dhe euroatlantik është thelbësor për përparimin e reformave, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vendeve të rajonit. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, gjatë shënimit të 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit, në kuadër të sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Mucunski po ashtu theksoi se përshpejtimi i proceseve integruese ndihmon në parandalimin e ndikimeve të huaja që nuk janë në përputhje me vlerat demokratike. Ai vlerësoi lart mbështetjen që vendi merr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin udhëheqës të tyre në sigurinë globale.

“Lidershipi amerikan nuk është vetëm i mirëseardhur, por është edhe i pazëvendësueshëm. Kur ShBA-ja angazhohet, aleanca qëndron edhe më e fuqishme. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në një gjendje më të mirë, sepse NATO-ja hapi dyert për to dhe sepse Uashingtoni ua zgjati dorën. Vendi ynë është dëshmitar i transformimit. Sot ne kontribuojmë në mënyrë aktive për sigurinë kolektive. Ushtarët tanë janë në shërbim nga Baltiku e deri te Ballkani. Shpenzimet tona për mbrojtjen janë mbi pragun prej 2 për qind, ndërsa mbi 30 për qind e tyre shkojnë për modernizim dhe gatishmëri. Ne nuk presim që të na ftojnë, por ecim përpara, sepse për ne NATO-ja nuk është vetëm një strukturë e thjeshtë sigurie, por është një kompas moral, një aleancë e udhëhequr nga vlera dhe parime, e cila mbron lirinë, kultivon demokracinë dhe mbron njerëzimin.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i RMV-së, Timço Mucunski.

Në përfundim të sesionit, pjesëmarrësit – përfshirë edhe liderët e tjerë të rajonit – u dakorduan mbi domosdoshmërinë e angazhimit më të madh të bashkësisë ndërkombëtare për të ruajtur stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ata theksuan gjithashtu nevojën për përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e sigurisë në përballje me sfidat e reja. (Rexhep Qamili, TVM2)