BDI, reagim lidhur me skandalin me veprat e Kadaresë
Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj rastit të komunës së Tetovës me Shtëpinë Botuese “Onufri”, duke shprehur shqetësimin e tyre, për siç thuhet skandalin që rëndon mbi kryetarin aktual të komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Siç është bërë publike nga botuesi i njohur shqiptar, z. Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese “Onufri”, në Tetovë janë shpërndarë dhe shitur libra të autorit të madh të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, pa të drejta autori, një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm si nga ana morale, ashtu edhe ligjore. Ironikisht, i njëjti z. Kasami, që publikisht e shpalli Ismail Kadarenë “Qytetar nderi” të Tetovës, është tashmë i përfshirë në një skandal, ku figura e Kadaresë është përdorur për përfitime politike dhe materiale përmes shpërndarjes së veprave të tij në mënyrë të paligjshme. Dëmi është i trefishtë: 1. Shkelje e të drejtave të autorit, që cenon rëndë moralin dhe ligjin. 2. Mashtrim ndaj qytetarëve të Tetovës, të cilëve u ofrohen libra pa vlerë ligjore dhe me origjinë të dyshimtë. 3. Fyerje ndaj figurës së Ismail Kadaresë, një simbol kombëtar i kulturës shqiptare, që përdoret për propagandë politike pa dinjitet.”.
BDI kërkon që institucionet kompetente të ndërhyjnë menjëherë dhe të hetojnë këtë rast, ndërkohë që opinioni publik meriton transparencë të plotë dhe përgjegjësi konkrete nga kryetari Kasami dhe komuna e Tetovës.
Reagimi i BDI-së vjen pasi Shtëpia Botuese “Onufri” ka parashtruar padi për plagjiaturë të librave të tyre, siç thonë ata, nga ana e kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese “Onfuri” tha se duke parë një publikim të Kasamit, ku njofton se bibliotekat e shkollave të mesme të Tetovës po furnizohen me libra, thotë se kanë parë një libër për të cilën kanë të drejtë vetëm ata ta botojnë.
Por, nga komuna e Tetovës kanë thënë se kryetari i komunës as nuk blen e as nuk shet libra. Librat janë blerë nga vetë shkollat dhe sipas ligjit për furnizime publike deri më pesë mijë euro shkollat nuk e kanë për obligim të hapin thirrje publike, por përzgjedhin ofertën më të lirë. (Abibe Qaili, TVM2)
