Rokas: E ardhmja e RMV-së është në BE, zhbllokoni procesin

27.05.2025 17:19

E ardhmja e Maqedonisë së Veriut...

E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, theksoi shefi i Delegacionit të BE-së në vend, Mihalis Rokas. Ai njëkohësisht nënvizoi nevojën për zhbllokimin e këtij procesi që lidhet me ndryshimet kushtetuese.

“Atë që mund të them në këtë fazë është vetëm të ripërsëris atë që tha disa ditë më parë znj. Kallas në Shkup – qëndrimi i Bashkimit Evropian është i qartë: e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE. Të gjithë ne, së bashku, jemi duke punuar dhe jemi të angazhuar me një qëllim të vetëm – për të përmbushur pjesën e mbetur të punës. Prandaj, është i nevojshëm një zhbllokim i situatës dhe në atë drejtim jemi duke punuar.”, - deklaroi shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në RMV, Mihalis Rokas.

Rokas theksoi gjithashtu se aktivitetet diplomatike nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian janë të shumta, dhe se po dëgjohen shumë propozime e ide, të cilat, siç shprehet ai, japin shpresë për zgjidhjen e ngërçit.

“Vërtet ka shumë aktivitete diplomatike. Po realizohen vizita dhe takime të shumta, dhe pavarësisht se nga vjen ndonjë propozim apo ide që mund të dalë nga këto takime, ajo do të ishte e mirëpritur.”, - theksoi shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas.

Këto komente Rokas i bëri gjatë vizitës në Veles, ku u takua me kryetarin e Komunës së Velesit, Marko Kolev, dhe me anëtarët e Këshillit Komunal, ndërsa vizitoi edhe disa nga projektet që financohen nga Bashkimi Evropian. (Fitim Kryeziu, TVM2)