Kuvendi i Kosovës, dështoi për të 22-tën herë seanca konstituive

27.05.2025 19:49

Dështoi për të 22-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës...

Dështoi për të 22-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi sërish opozita nuk votoi për të kaluar në votim të fshehur dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën për ta caktuar vazhdimin e 23-të më 29 maj. Fajin për dështimin pushteti e hodhi tek opozita, e opozita te pushteti.

“Siç e kemi thënë në vazhdimësi të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit e ka LVV-ja, e cila tashmë është përcaktuar për këtë çështje. Ajo çfarë duhet është që deputetët të marrin pjesë në votim, pra të votojnë komisionin për votimin e fshehtë.”, - deklaroi Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje.

“PDK-ja përgjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte dhe konstruktive dhe kemi ofruar rrugëdalje nga kjo gjendje e bllokadës në të cilën jemi futur ekskluzivisht falë kokëfortësisë së zotit Albin Kurti dhe ambicies së zonjës Albulena Haxhiu.”, - theksoi Vlora Çitaku nga PDK.

“I takon partisë së parë që të bëj zgjidhje, këtë kuptojeni! Partitë e tjera nuk kanë numra, siç duket nuk ka as partia e parë numrat e nevojshëm. Kemi dhënë një propozim që të bëhemi bashkë e të dalim prej kësaj krize, sepse është turp kjo që po ndodh. Më shumë se kaq LDK-ja nuk mund të bëj.”, - u shpreh Lumir Abdixhiku nga LDK.

Derisa po mbahej seanca kuvendore, organizatat e shoqërisë civile në shenjë proteste kanë zhvilluar një performancë simbolike para Kuvendit, ku ishin vendosur 120 karrige, në të cilat mes tjerash shkruante 120 karrige zero përgjegjësi. (Gyltene Sinani, TVM2)