Stamboll, sulm me granatë në një qendër argëtimi
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit...

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen Kagithane të Stambollit, ku një qendër argëtimi është bërë shënjestër e një sulmi me granatë dore.
Sipas mediave turke, dy persona të paidentifikuar që udhëtonin me motoçikletë hodhën një granatë në katin e dytë të një ndërtese 5-katëshe në rrugën “Park”, ku funksiononte lokali.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 01:40, duke plagosur shtatë persona tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Pas alarmit, në vendngjarje mbërritën me urgjencë ekipet e emergjencës, forcat e sigurisë, ekspertë të bombave, njësitë speciale dhe antiterrori, si dhe shërbimet zjarrfikëse.
Policia ka nisur hetimet intensive dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë në përpjekje për të identifikuar dhe arrestuar autorët e këtij akti të rëndë.
Motivi i sulmit ende nuk është bërë publik. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
