Maqedoni

Tragjedia në Koçan, zgjerohet hetimi edhe me një të dyshuar

28.05.2025 13:45

Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka zgjeruar hetimin edhe ndaj një personi...

Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka zgjeruar hetimin edhe ndaj një personi të dyshuar për zjarrin e shkaktuar në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona dhe mbi 200 mbetën të lënduar.
 
Në këtë rast bëhet fjalë për personin që e ka dhënë me qira diskotekën. Sipas Prokurorisë janë siguruar prova të arsyeshme për përfshirjen e të dyshuarit në këtë rast. Bëhet fjalë për veprën penale "Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga Kodi Penal. 
 
“Pa paraqitur kërkesë dhe pa marrë miratim për shndërrimin e ndërtesës nga organi kompetent, së bashku dhe në marrëveshje me pronarin e dyshuar joformal të personit juridik, ai në data të ndryshme dhe në disa raste në periudhën nga viti 2012 deri në mars 2025 ka ndërmarrë aktivitete ndërtimi me të cilat ka kryer dhe ka marrë pjesë në shndërrimin e paligjshëm të ndërtesës nga qëllimi G3 – shërbime dhe infrastrukturë trafiku në qëllimin B3 – njësi të mëdha hoteliere dhe ka mundësuar funksionimin e paligjshëm të aktivitetit hotelier diskotekë/kabare në ndërtesë.”, thonë nga Prokuroria.
 
Ndaj të dyshuarit të fundit, Prokuroria Publike ka propozuar caktimin e masave të kujdesit. Zjarri në diskotekën "Puls" shpërtheu natën e 15-16 marsit. Disa nga të plagosurit vazhdojnë të mjekohen jashtë vendit. Me zgjerimin e fundit, hetimi përfshin 69 të dyshuar në mesin e të cilëve edhe ish-ministra të Ekonomisë.
 
FLORIJE KAMBERI