Botë

Kosovë, ngec konstituimi i institucioneve, Orav: Zgjidhni sa më parë Qeverinë e re

28.05.2025 14:18

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, thekson nevojën që Kosova...

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, thekson nevojën që Kosova sa më parë të ketë Qeverinë e re. Për Bashkimin Evropian është thelbësore të ketë një partner me të cilin mund të bisedohet për hapat konkretë drejt integrimit, thekson euroambasadori, Orav.
 
“Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten, por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që Qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
 
Rohde: Moskrijimi i institucioneve, imazh jo i mirë
 
Ngjashëm shprehet edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, sipas të cilit veprimet e pakoordinuara dhe ngërçi institucional, jo vetëm që dëmtojnë imazhin e vendit, por po sjellin kosto të drejtpërdrejta ekonomike dhe politike.
 
“Veprimet e pakoordinuara do ta pengojnë më tej heqjen e masave. Dhe kjo kushton para. E bën gjithashtu publikun të ndihet i frustruar politikisht. Dua të them, nesër kemi seancën e 23-të për të provuar të zgjedhim kryetarin e Kuvendit. Çfarë imazhi jep kjo për ne? Nuk dua të zgjatem më tej për këtë.”, - theksoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
 
Këto komente u bënë në kuadër të konferencës “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, ku porosi të ngjashme dhanë edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven.
 
GYLTENE SINANI