Botë
Shqipëri, Italia transferoi 27 emigrantë në kampin e Gjadrit
28.05.2025 14:56
Një grup tjetër emigrantësh, të cilëve u është refuzuar azili në Itali...

Një grup tjetër emigrantësh, të cilëve u është refuzuar azili në Itali, kanë mbërritur në Shqipëri. Anija “Spica” e Marinës Ushtarake Italiane u nis mëngjesin e së martës nga porti i Brindisit dhe zbarkoi në portin e Shëngjinit, duke transportuar 27 emigrantë në bord.
Pas mbërritjes në Shqipëri, emigrantët u transferuan drejt kampit të Gjadrit, ku janë riatdhesuar brenda kësaj strukture. Ky është kontingjenti i tretë i emigrantëve që mbërrijnë në territorin shqiptar, si pjesë e dekretit të ri të Qeverisë italiane, të cilët do të qëndrojnë në Gjadër deri në deportimin në vendet e tyre të origjinës, me një afat maksimal që nuk kalon 18 muaj.
Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte projektuar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit e shpëtuar në det, për një periudhë deri në 28 ditë, por me dekretin e ri të qeverisë italiane të drejtuar nga Xhorxhia Meloni, funksioni i kësaj qendre është zgjeruar.
Tashmë, ajo do të shërbejë edhe si qendër ndalimi për emigrantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që pritet të deportohen.
Ndërkohë, në ditët në vijim pritet vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë lidhur me apelimin e paraqitur nga Gjykata e Romës, e cila ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e arrestimeve të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe dhe të transferuar më pas në Shqipëri.
LULJETA NDOKA
