Maqedoni
Qeveria miratoi plan operativ për punësim, 40 milionë euro për biznese start-up dhe punësime
28.05.2025 15:24
Qeveria prezantoi planin operativ të punësimit me vlerë prej 40 milionë eurosh...

Qeveria prezantoi planin operativ të punësimit me vlerë prej 40 milionë eurosh, i cili do të mbulojë mbi 16 mijë qytetarë, kurse 65 për qind pritet të jenë të rinj nën 29 vjeç, theksoi në preskonferencën e tij kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ai tha se plani operativ për punësim, masat dhe programet që do të ofrojnë vende pune dhe mbështetje në tregun e punës, është hartuar në seancën e fundit të Qeverisë.
“Kjo masë ka për synim përforcimin e kapacitetit të ekonomisë vendore, me qëllim nxitjen e angazhimit të të rinjve deri në 23 vjeç për punësimin e tyre në fushën e prodhimit pas mbarimit të shkollës së mesme, që do të vijë deri tek përmirësimi i standardit të jetesës së tyre, në bashkëpunim me punëdhënësit, që edhe ata të jenë të kënaqur me punën e tyre, me kualifikimet adekuate të fuqisë punëtore. Mbështetja financiare është prej 3 mijë denarësh në muaj për person të punësuar. Përveç faktit që fokusi i Planit Operativ për vitin 2025 është veçanërisht i orientuar drejt të rinjve deri në moshën 29 vjeç, ai gjithashtu ofron ndihmë afatgjate për personat të papunë, përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe përkrahje për kategori tjera të cenueshme të qytetarëve.”, - deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha se për masat e punësimit Qeveria ka ndarë rreth 40 milionë euro. Ai gjithashtu theksoi se me këtë planin do të përfshihen 16.506 persona.
“Masa mbështetjeje për vetëpunësim, që ka të bëjë me personat e papunë, me minimum arsim fillor, për të filluar biznesin e tyre. Shuma e mbështetjes financiare është 7.000 euro, mjete të pakthyeshme për fillimin e biznesit, që është 1.000 euro më shumë me vitin paraprak. Risia e këtij viti është masa për vetëpunësimin e të rinjve të papunë deri në moshën 29 vjeç, me ç’rast shuma e mbështetjes financiare arrin 10.000 euro mjete të pakthyeshme për themelimin e biznesit.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Plani operativ ka për qëllim të ulë papunësinë dhe të shfrytëzojë të gjithë kapacitetin njerëzor të Maqedonisë drejt zhvillimit të ekonomisë dhe sigurimit të një jete më të mirë për qytetarët.
Ky plan është rezultat i një analize të thelluar të nevojave të tregut të punës dhe të nevojave të personave që kërkojnë punë. Çdo person është i rëndësishëm dhe prandaj si Qeveri do të angazhohemi për të hapur më shumë vende pune, të sigurojmë punësim dhe të ardhme për çdo qytetar këtu, në vendin tonë, u tha me këtë rast.
FITORE DEMOLLI
