Zhvillimet politike, Sela: Kujdes ndaj lëvizjeve të Taravarit
Përfshirja e Arben Taravarit në Frontin Evropian...

Përfshirja e Arben Taravarit në Frontin Evropian, pjesë e së cilës është edhe ASh-krahu i Ziadin Selës, temë debati në bllokun opozitar. Ziadin Sela është shprehur se lëvizjet e Taravarit duhet parë me kujdes, pasi ai e cilëson si figurë shkatërruese dhe joserioz në deklaratat e tij.
Sela ia lë në dorë Frontit Evropian të vendosë nëse do ta përfshijë Taravarin, por pasi ai të prononcohet nëse dëshiron bashkëpunimin.
“Këto lëvizjet e tij, natyrisht se duhet parë me kujdes nga ana e Frontit Evropian, sepse politika, qëndrime. Qëndrimi duhet bërë publik dhe të shprehet. Nuk e di, për mua nuk është qëndrim në qoftë se hyn në garën e radhës së zgjedhjeve lokale, nuk mund të jetë qëndrim që unë do të bashkëpunojë me të gjithë ose me fjalë të tjera unë do të marrë nga të gjithë. Dhe, çka jep në kthim, asgjë.”, - deklaroi Zijadin Sela nga ASh.
Ziadin Sela kundërshton përfshirjen e tij në Qeveri, duke i ndenjur besnik votës së marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare si pjesë e Frontit Evropian.
Mexhiti paralajmëron riformatimin e Qeverisë
Por zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, shprehet se shumica po riformatohet dhe javën tjetër plotësohen edhe vendet vakante të ministrave.
“Për këto pozicione, fjalën kryesore e ka ASh-ja në krye me Arben Fetain, normal edhe me deputetët tjerë, d.m.th. që kanë kaluar prej Frontit Evropian në shumicën e re, edhe me ata bisedohet. Besoj që javën e ardhshme, prej të hënës do të kemi riformatim të Qeverisë, plotësim të vendeve vakante, sepse nuk kemi kohë të merremi me muhabete. Na duhen shumica për realizim të projekteve si sot.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Mickoski mirëpret Aliun për ministër të Shëndetësisë
Propozimi i VLEN-it që Azir Aliu ta zëvendësojë Taravarin në krye të Shëndetësisë ka mbërritur në Qeveri. Kryeministri me nota pozitive për figurën e Aliut.
“Unë edhe zyrtarisht e pranova propozimin dhe këtyre ditëve do ta dorëzojë tek deputetët në Parlament. Me zotin Aliu njihemi, andaj mendoj se do të bashkëpunojmë mirë në kuadër të Qeverisë.”, - u shpreh kryeministri, Hristian Mickoski.
Taravari kritikon emërimet në Qeveri
Nuk kanë munguar as spinet politike nga Taravari drejtuar emërimeve të reja të ministrave. Ai shkruan se veprimet e komplotistëve të ASh-së po dalin në shesh.
“Këto emërime, së bashku me zhvillimet që priten në ditët në vijim, janë dëshmi e qartë se grupi i Arben Fetait është instrument qeveritar, i joshur me privilegje dhe kolltukë, i cili ka vetëm një mision: të dëmtojë Aleancën për Shqiptarët dhe të tradhtojë interesin qytetar shqiptar.”, shkruan Taravari në reagimin e tij.
Sa i takon bashkëpunimeve parazgjedhore në zgjedhjet lokale, Sela thotë se është në negociata brenda Frontit dhe momentet vendimtare do të ndahen me publikun. Ndërkohë Arben Taravari, i hapur për bashkëpunime, veç më ka marrë vendimin për lista të posaçme. (Meral Ismaili, TVM2)
