Sfidat në procesin integrues, Rokas: RMV-ja ka perspektivë të vërtetë evropiane
Pas sulmit rus në Ukrainë, çështja e zgjerimit u vendos lart në agjendën e BE-së...

Pas sulmit rus në Ukrainë, çështja e zgjerimit u vendos lart në agjendën e BE-së, deklaroi euroambasadori, Mihalis Rokas.
Kjo mundësi duhet shfrytëzuar edhe nga Maqedonia e Veriut, e cila duhet të vazhdojë me realizimin e reformave, ndërsa për çështjet e nxehta do të vazhdojë të punohet, thotë euroambasadori.
“Ne na duhet së bashku me qeveritë nga të gjitha aspektet të vendosim një perspektive të vërtetë. Kjo me të vërtetë po ndodh me agjendën reformuese, që është një konfirmim se kjo do të jetë integrim i dalëngadalë në tregun evropian, që nuk është alternative për anëtarësim në BE, por duhet të bëhen të gjitha reformat, ndërsa për të gjitha çështjet tjera delikate do të punohet në të ardhmen.”, - deklaroi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.
Gashi: RMV-ja nuk ka devijuar nga rruga evropiane
Maqedonia e Veriut nuk ka devijuar asnjëherë nga rruga drejt integrimit në BE, por ajo është përballur me sfida dhe pengesa reale që e kanë ngadalësuar këtë rrugëtim, deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
“Edhe sot përballemi me pengesa që kërkojnë maturi politike, mirëkuptim dhe modalitet racional. Në njërën anë, zgjidhjet për çështjet e identitetit me të cilat sfidohet vendi ynë janë çështje vështirë të zgjidhshme, që kërkojnë kohë dhe qetësi. Në anën tjetër krizat që po prekin rajonin e tregojnë qartë se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një çështje politike për ne, por një nevojë gjeopolitike për të gjithë Evropën.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Këto qëndrime u paraqitën në panel-diskutimin me temë "Formësimi i së ardhmes - Integrimi në BE si një nxitës i progresit në Maqedoninë e Veriut", i organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer”, me rastin e Ditës së Evropës - 9 maji. (Abibe Qaili, TVM2)
