Pika kufitare Jazhincë – Globoçicë, lansohet sistemi “ONE STOP”
Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti...

Jemi në pikën kufitare Jazhincë-Glloboçicë. Edhe në këtë pikë kufitare nga sot do të zbatohet sistemi “ONE-STOP-SHOP”, me çka do të vendoset një pikë e përbashkët kontrolli nga të dyja palët.
Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, theksoi se modeli i suksesshëm i zbatuar në Bllacë pritet të japë rezultate pozitive edhe në Jazhincë, duke lidhur më shumë qytetetin e Tetovës me atë të Prishtinës.
“Nëse në Bllacë kemi pas dilema se a do të funksionon, si do të funksionon ‘ONE-STOP-SHOP-i’, u pa që në një periudhë të shkurtë, nga pritja në kolona u shëndrua në pritje një minutshe-dy për qytetarët që dukshëm e ka bë Shkupin me Prishtinën, sot e bëjmë Tetovën më afër me Prishtinën dhe qytetet tjera” – u shpreh Zv.Kryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti.
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, u shpreh se ky sistem do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve, sidomos gjatë sezonit veror, kur pika është më e frekuentuar.
“Kjo pikë kufitare më së së shumti shfrytëzohet në sezonën verore, sigurisht që pika kufitare më e frekuentuar të cilën e kemi me Kosovën është në Bllacë, mirëpo gjithashtu edhe ky në Jazhincë është i frekuentuar gjatë sezonit veror" – deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi këtë pikë si shumë të rëndësishme për banorët e zonës dhe për bashkëpunimin mes policive në luftën kundër veprimtarive të paligjshme.
Ai shtoi se është planifikuar edhe rikonstruimi i rrugës për të rritur qarkullimin në këtë pikë.
“Kjo do të sjell të mira për qytetarët e dy vendeve, e posaçërisht për banorët e kësaj zone të pikës kufitare, të cilët mund ti tejkalojnë këto procedura të tejkalimit kufitar shumë më shpejt” – u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Pika kufitare Jazhincë-Glloboçicë është e dyta që implementon sistemin “ONE-STOP-SHOP” pas pikës Bllacë-Hani i Elezit, dhe pritet që ky sistem të zgjerohet edhe në pikat kufitare me Serbinë dhe Shqipërinë për të lehtësuar lëvizjen në gjithë rajonin. (Armend Murseli, TVM2)
