Shtohet presioni diplomatik ndaj Izraelit, bombardimet në terren vazhdojnë, dhjetëra viktima

28.05.2025 17:46

Ushtria izraelite ka vazhduar bombardimet intensive në Gazë...

Ushtria izraelite ka vazhduar bombardimet intensive në Gazë. Në këto sulme humbën jetën dhjetëra civilë. Viktimat u vranë kur avionët izraelitë shënjestruan shtëpitë në lagjen “Saftavi”, në veri të qytetit të Gazës, spitalin “Al-Naser”, ndërsa të tjerë thuhet se mbetën në rrugë, pasi ekipet e ambulancës u përballën me vështirësi në arritjen e tyre, për shkak të intensitetit të sulmeve.

Cak i sulmeve ishte edhe një pikë shpërndarjeje ushqimi në lagjen “Al-Tufah”. Bombardimi i ndihmave kanë shtuar krizën ushqimore. Sipas UNRVA-së, raporti i sigurisë ushqimore paralajmëron se e gjithë popullsia përballet me uri akute. Gjysmë milioni njerëz janë tashmë në prag të urisë.

"Kriza në Gazë nuk mund të adresohet duke përdorur ndihmën humanitare si armë për të ushtruar presion politik dhe ushtarak. Ndihma duhet të sillet në Gazë pa pengesa. Modeli i shpërndarjes së ndihmës i propozuar nga Izraeli nuk përputhet me parimet themelore humanitare. Ai do t'i privojë pjesë të mëdha të Gazës, njerëzit shumë të prekshëm, nga ndihma e nevojshme urgjentisht. Tmerret e kësaj lufte po transmetohen drejtpërdrejt. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e dinte.”, - deklaroi kreu i UNRVA-së, Filipe Lazarini.

Politikat izraelite të pushtimit, përmes spastrimit etnik në Gazë dhe zhvendosjen e popullsisë, kanë shtuar presionin diplomatik ndaj Izraelit.

Liderët evropianë i bëjnë thirrje Izraelit, që të mos përdorë ushqimin si armë, por t’i lirojë ndihmat të futen pa pengesa.

Presidenti francez, Emanuel Makron, riafirmoi dëshirën e tij për të parë një zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë, gjatë një takimi me homologun e tij indonezian, i cili ndante të njëjtin mendim.

"Ne po punojmë pa u lodhur për të siguruar që paqja të kthehet dhe ndihma humanitare të mund të vendoset në Gazë. Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi gjithashtu të mobilizuar për të gjetur një proces që mund të na çojë në dy shtete, njohje të ndërsjellë dhe paqe të qëndrueshme. Ky është pikërisht qëndrimi që sapo keni marrë.”, - theksoi presidenti francez, Emanuel Makron.

"Britmat e nënave, të baballarëve që mbajnë fort trupat e pajetë të fëmijëve të tyre dhe që detyrohen vazhdimisht të lëvizin në kërkim të ushqimit, të një strehimi më të sigurt nga bombardimet, ngrihen gjithnjë e më intensivisht në qiell. Autorëve të krimit u ripërtërij apelin tim: Armëpushim, le të lirohen të gjithë pengjet! Le të respektohet plotësisht ligji humanitar!”, - u shpreh Papa Leo XIV.

Edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez, tha se dhimbja në Gaz është e padurueshme. Spanja do të vazhdojë ta ngrejë zërin e saj më fort se kurrë për t'i dhënë fund masakrës, që bota po dëshmon sot, ku Izraeli vazhdon gjenocidin e tij. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)