Marrëveshja me Britaninë e Madhe para deputetëve, epokë e re në marrëdhëniet midis dy vendeve
Marrëveshja për partneritet strategjik para deputetëve...

Marrëveshja për partneritet strategjik para deputetëve në seancë plenare. Në elaborimin e tij, Zv/Ministri i punëve të jashtme, Zoran Dimovski, tha se kjo marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar përcakton kornizën për bashkëpunim, e cila do të zgjasë 10 vjet, por gjithashtu liston projektet që duhet të financohen me gjashtë miliardë euro.
Shtojca A e marrëveshjes përfshin projektet tashmë të njohura, si hekurudha e shpejtë Gjevgjeli-Tabanovcë, spitalet në Shtip, Tetovë dhe Kërçovë, si dhe hidrocentralet Cebren dhe Galishte.
LSDM opozitare gjatë seancës akuzoi qeverinë për mos-transparencë, nga ku kritikojnë qeverinë se nuk ka dhënë sqarime të sakta se për çfarë do ti shpenzojë paratë e marra nga kjo kredi.
“Për këto marrëveshje të rëndësishme të cilat me gjasë do ta formësojnë ardhmërinë e vendit tonë, si në aspekt politik, poashtu edhe në atë ekonomik duhet të sillemi me përgjegjësi dhe plotësisht transparent. Ndjej keqardhje që qeveria e lëshoi këtë mundësi” – tha Mitko Trajçulevski nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE u përgjigjën duke thënë se të gjitha pikat e marrëveshjes janë shënuar në dokumentin, të cilin iu është dorëzuar të gjithë deputetëve.
“Ja ku e keni dokumentin, mbrëmë e morrët si deputet. Tetë akte janë shkruar këtu. E dini se cili është dallimi mes neve dhe juve. Për ‘Bechtel dhe Enka’ unë nuk e kam parë marrëveshjen, për shkak se ishte rreptësisht konfidenciale. Këtu nuk ka asgjë të fshehur” – deklaroi Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Ndërkohë edhe Fronti Europian i kishte dilemat e saja sa i përket kësaj marrëveshje. Deputeti Ilir Hasani, tha se qeveria po fut në borxhe të larta qytetarët.
“Parashtrohet pyetja se kush do ti paguaj këto kredi? Matematikisht na del që më së paku çdo i rritur në shtetin tonë do të hyjë në borxh prej 6 mijë deri në 7 mijë euro. Të gjithë qytetarët duhet ta dinë se me çfarë mega-kredie jemi duke lëvizur” – u shpreh Deputeti i Frontit Europian, Ilir Hasani.
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, me kundër-replikë. Qeveria e kaluar ka marrë kredi dhe nuk ka realizuar atë që duhej, tha ai.
“Përderisa pushteti i kaluar njëzet e kusur vjeçar merrte kredi nga kinezët, e kujtoj në 2013 janë marrë rreth 800 milion dollar për rrugët të cilat ende nuk janë përfunduar, sidomos nga Kërçova deri në Ohër, kjo qeveri merr kredi nga partnerët tanë strategjik, nga demokracitë më të zhvilluara të botës” – theksoi Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
Përndryshe norma totale e interesit për kredinë nga marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar do të jetë më e ulët se marzhi prej 4.5 përqind, ka bërë të ditur Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski. (Ersan Pajaziti, TVM2)
