Marrëveshja me Britaninë e Madhe, Kuvendi i jep dritë jeshile
Me 76 vota për, 6 kundër dhe asnjë të përmbajtur...

Me 76 vota për, 6 kundër dhe asnjë të përmbajtur Kuvendi miratoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar lidhur me partneritetin për realizimin e projekteve infrastrukturore, para që sipas autoriteteve do të ndahen për projekte në fushat e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjetikës, teknologjisë si dhe në fushën e mjedisit. Marrëveshjes që mori dritë jeshile në Kuvend i parapriu debat mes deputetëve.
LSDM-ja opozitare akuzoi qeverinë për jotransparencë, nga ku kritiuan ekzekutivin se nuk ka dhënë sqarime të sakta se për çfarë do ti shpenzojë paratë e marra nga kjo kredi.
“Për këto marrëveshje të rëndësishme të cilat me gjasë do ta formësojnë ardhmërinë e vendit tonë, si në aspekt politik, poashtu edhe në atë ekonomik duhet të sillemi me përgjegjësi dhe plotësisht transparent. Ndjej keqardhje që qeveria e lëshoi këtë mundësi” – tha Mitrko Trajçulevski nga rradhët e LSDM-së.
VMRO -DPMNE -ja shfajësohet duke thënë se të gjitha pikat e marrëveshjes janë shënuar në dokumentin i cili u është dorëzuar të gjithë deputetëve.
“Ja ku e keni dokumentin, mbrëmë e morët si deputet. Tetë akte janë shkruar këtu. E dini se cili është dallimi mes neve dhe juve? Për Bechtel dhe Enka unë nuk e kam parë marrëveshjen, për shkak se ishte rreptësisht konfidenciale. Këtu nuk ka asgjë të fshehur” - deklaroi Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Ndërkohë edhe Fronti Evropian me dilema për marrëveshjen. Sipas deputetit Ilir Hasani, qeveria po i fut qytetarët në borxhe të larta.
“Parashtrohet pyetja se kush do ti paguaj këto kredi? Matematikisht na del që më së paku çdo i rritur në shtetin tonë do të hyjë në borxh prej 6 mijë deri në 7 mijë euro. Të gjithë qytetarët duhet ta dinë se me çfarë mega-kredie jemi duke lëvizur” - u shpreh Deputeti i Frontit Europian, Ilir Hasani.
Për koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, Qeveria e kaluar ka marrë kredi dhe nuk e ka realizuar atë që duhej.
“Përderisa pushteti i kaluar njëzet e kusur vjeçar merrte kredi nga kinezët, e kujtoj në 2013 janë marrë rreth 800 milion dollar për rrugët të cilat ende nuk janë përfunduar, sidomos nga Kërçova deri në Ohër, kjo qeveri merr kredi nga partnerët tanë strategjik, nga demokracitë më të zhvilluara të botës” - theksoi Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
Norma totale e interesit për kredinë nga marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar do të jetë më e ulët se marzhi prej 4.5 përqind, ka bërë të ditur kryeministri Mickoski. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
