Protesta, bllokime rrugësh në Prishtinë, bizneset kundër liberalizimit të energjisë

29.05.2025 12:59

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë...

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë protestuan kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke bllokuar disa nga hyrjet kryesore të Prishtinës dhe duke kërkuar shtyrjen e masës për të paktën një vit.

Sipas tyre, bizneset nuk janë përgatitur për këtë ndryshim dhe liberalizimi mund të shkaktojë rritje të çmimeve dhe destabilizim të veprimtarisë së tyre.

Sipas vendimit të marrë nga rregullatori i energjisë, të gjitha kompanitë me mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro nuk do të furnizohen më me energji me tarifa të rregulluara, por duhet të zgjedhin vetë furnizuesit në tregun e lirë.

Nëse nuk e bëjnë këtë, do të kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Ky ndryshim prek rreth 1.000 kompani që përbëjnë 37% të konsumit total të energjisë në vend.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi ndaj protestave duke kritikuar Odën Ekonomike të Kosovës për mungesë përgatitjeje dhe për faktin që kërkon një tjetër shtyrje pas tetë vitesh zvarritje.

Ai deklaroi se shtyrja nuk do të zgjidhte problemin, por vetëm do të transferonte koston e energjisë tek konsumatorët e zakonshëm.

Protesta pritet të vazhdojë edhe ditëve në vijim, nëse kërkesat e bizneseve nuk merren në konsideratë nga autoritetet.