Konferenca e 6-të për menaxhimin e mbeturinave, Qeveria njofton ndërtimin e deponisë së parë rajonale

29.05.2025 14:12

Qeveria mbetet thellësisht e përkushtuar...

Qeveria mbetet thellësisht e përkushtuar për menaxhimin e suksesshëm të mbeturinave dhe krijimin e një sistemi të qëndrueshëm rajonal për menaxhim me mbeturinat, zhvillimin e ekonomisë cirkulare përmes selektimit, riciklimit dhe përdorimin e sërishëm të lëndëve sekondare.

Kështu u shpreh zëvendëskryeministri i parë dhe njëherit ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti, në Konferencën e 6-të ndërkombëtare kushtuar kësaj teme.

Së shpejti, tha ai, pritet të fillojë ndërtimi i deponisë së parë rajonale në vend, e cila do të zgjidhë problemin e kahmotshëm të menaxhimit të mbeturinave, ku bashkëpunimi ndërkomunal do të jetë kyç.

“Ministria e Ekologjisë është thellësisht e përkushtuar për ngritjen e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave që operojnë në përputhje me standardet më të larta evropiane. Një nga projektet kryesore është ndërtimi i deponisë së parë rajonale të standardizuar në vend, e cila do të shërbejë si një model i qëndrueshëm, efikas dhe transparent të trajtimit të mbetjeve. Kjo iniciativë është një hap kyç drejt një qasjeje moderne, ku mbeturinat nuk janë mbarë, por mundësi për zhvillim ekonomik dhe mjedisor.”, - deklaroi ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti.

Në kuadër të konferencës, ekspertë nga vendi dhe rajoni diskutuan shkëmbimin e përvojave të tyre, parimet bashkëkohore të menaxhimit me mbeturina, sfidat dhe zgjidhjet më të mira.

“Do të kemi dy ditë të plota për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat nga vendi dhe rajoni, mundësi për thellimin e bashkëpunimit mes të gjithë përfaqësuesve institucional përgjegjës nga fusha e menaxhimit të mbeturinave, por në veçanti gëzohemi se kemi mbështetje të madhe nga Ministria e Ekologjisë dhe që këtë ngjarje e mbështesin edhe ekspertët dhe institucionet komunale.”, - theksoi kryetari i Asociacionit të Maqedonisë për menaxhim me mbeturinat e ngurta, Mihail Mateski.

Konferencën e organizon Asociacioni i Maqedonisë për menaxhim me mbeturinat e ngurta tradicionalisht për çdo vit. (Rexhep Qamili, TVM2)