Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve, punëtorët pesë muaj pa paga
Shtatëmbëdhjetë të punësuarit në Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve....

Shtatëmbëdhjetë të punësuarit në Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve pothuajse 5 muaj kanë mbetur pa rroga. Ata revoltën e tyre e shprehën përmes pres konferencës për media, ku kërkuan nga organet kompetente që të shqyrtojë çështjen dhe sa më shpejt t’u paguhen rrogat e ngelura.
Thonë se me shkrim i kanë informuar të gjitha institucionet relevante dhe se deri më tani nuk ka përgjigje përveç asaj se Ligji është në procedurë parlamentare.
Në mesin e të punësuarve që kërkuan pagesën e rrogave nuk mori pjesë drejtori i këtij institucioni, Arsim Idrizi.
Sipas të punësuarve, nuk bëhet fjalë vetëm për krizë financiare, por edhe shkelje serioze e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
“Kërkesat tona janë të qarta dhe legjitime: shlyerje urgjente e pagave të prapambetura, riaktivizim të sigurimit shëndetësor dhe pensional , ofrim i një zgjidhjeje afatgjate dhe të qëndrueshme që të mos përsëritet kjo gjendje sërish, si dhe funksionim normal të Inspektoratit. Po ashtu kërkojmë që kryeministri i RMV-së në koordinim me ministrin e Financave, ministrin e Drejtësisë, si dhe me kryetarin e Kuvendit të gjejnë mundësi ligjore për shlyerjen e rrogave të prapambetura të nëpunësve të Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve.”, - deklaroi inspektori i lartë në Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve, Fitim Ramadani.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, thotë se Ligji i cili do të rregullojë çështjen e pagave është në procedurë parlamentare, ku dhe u bëri thirrje deputetëve shqiptarë që ta votojnë atë.
“Vetëm te Inspektorati i Gjuhëve kemi pasur dilemën a duhet të jetë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë apo të shkojë në kuadër të Agjencisë së Gjuhëve dhe kjo dilemë ka marrë pak kohë. Tash është në procedurë në Parlament, pra këtu i ftoj të gjithë deputetët shqiptarë para se ta keqpërdorin si temë politike, ta votojnë Ligjin dhe t’i marrin sa më shpejt pagat punëtorët në Inspektoratin për Gjuhët.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Përveç mungesës së rrogave në 5 muajt e fundit njoftuan se nuk posedojnë automjete për të realizuar inspektimet dhe se punën e realizojnë me automjete private, ndërsa në raste edhe me veturën e drejtorit.
Nga muaji mars nuk janë realizuar inspektime për shkak të mungesës së planit mujor. Inspektorati i Zbatimit të Gjuhëve funksionon për pothuajse 4 vite. (Florije Kamberi, TVM2)
